Taksimi i pagave nuk është përplasja e vetme që mazhoranca ka brenda gjirit të saj, për paketën fiskale të vitit të ardhshëm. Një tjetër pikë që ka hapur debat është propozimi i deputetëve socialistë në Komisionin e Ekonomisë, për të hequr TVSH-në e inputeve bujqësore.

“Ka 28 vite që këtë e premtojnë të gjithë. E ka premtuar edhe Partia Socialiste në zgjedhjet e vitit 2017. Ka ardhur koha që kjo masë të merret për të ulur koston e bujqve”, tha Braçe.

Por, ministri i Financave, Arben Ahmetaj nuk është dakord që TVSH-ja e inputeve të hiqet fare. Ai mbështet uljen e kësaj takse në një normë më të reduktuar, por me kusht që kjo të shoqërohet edhe me uljen e rimbursimit të TVSH-së që qeveria u jep femerëve.

“Nëqoftëse do ta çojmë TVSH-në e inputeve 10 për qind, atëherë edhe rimbursimin duhet ta çojmë 10 për qind. Nëqoftëse do ta çojmë 6, atëherë edhe rimbursimin 6. Kështu ato lekë që humbim nga ulja e TVSH-së i fitojmë në krahun e shpenzimeve”, tha ministri Ahmetaj.

Sipas ministrit të Financave, skema e rimbursimit të TVSH-së në bujqësi ka rezultuar problematike, duke bërë që paratë e dhëna nga qeveria të mos shkojnë te fermeri, por në xhepat e tregtarëve.

Të njëjtin vlerësim dha edhe Erion Braçe, por ndonëse bien dakord për dështimin e skemës së rimbursimit, ministri i Financave dhe kryetari i Komisionit të Ekonomisë ndahen te TVSH-ja e inputeve. Sipas Braçes, heqja fare e TVSH-së së inputeve do të ishte masa më e duhur.

Vendimi përfundimtar për të dyja këto përplasje, si për taksën e pagave, ashtu dhe për atë të inputeve bujqësore, duket se do të merret gjatë votimit nen për nen të buxhetit dhe paketës fiskale. Por, prononcimet paraprake të kryeministrit Rama gjatë daljeve publike sinjalizojnë se, përplasja mes Ministrisë së Financave dhe Komisonit të Ekonomisë mund të dalë barazim.

Ministria e Financave ruan kufirin e pataksueshëm të pagave në 30 mijë lekë, kurse Komisioni i Ekonomisë fiton heqjen e TVSH-së së inputeve bujqësore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA