Tifozët e Milanos detyruan autoritetet e stadiumit “San Siro” dhe Federatën Italiane të futbollit të hapin unazën e tretë të impiantit të futbollit, si një përgjigje e qartë për interesimin e jashtëzakonshëm për ndeshjen ndaj Portugalisë.

Këtë të shtunë të kaltërit synojnë 3 pikët ndaj luzitanëve për të mbajtur të gjallë garën për Play Off në Ligën e Kombeve të UEFA-s.

Saktësisht një vit më parë në të njëjtin stadium, Italia detyrohej të shkruante një kapitull të errët në historinë futbollistike pasi barazimi ndaj Suedisë i mohoi pjesëmarrjen në botërorin e kësaj vere. Përbal;lja ndaj nordikëve duket se tani është harruar dhe skuadra që drejtohet nga trajneri Mancini po fiton zemrat e tifozëve.

Prej disa sezonesh, Inter nuk zbret poshtë 50 mijë spektatorëve në stadiumin San Siro e madje në Champions është shumë më tepër. Por sërish po bën përshtypje interesimi i madh për kombëtaren italiane këtë nëntor.

Një vit më parë i gjithë impianti nuk kishte asnjë vend të lirë për Play Off e kthyer në makth ndaj Suedisë, aty ku shpresuan deri në fund se mund të shënonin, por nuk ndodhi kurrë. Tani një fitore e Italisë me 2 gola diferencë, do të detyronte Portugalinë të mundte në shtëpi poloninë për të siguruar vendin e parë në grup.

Top Channel