Zëvendëspresidenti i SHBA, Mike Pence tha të enjten se Presidenti Donald Trump po planifikon të takojë udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, në vitin 2019 dhe do të kërkojë për një plan konkret që përshkruan lëvizjet e Penianit drejt denuklearizimit total të vendit.
Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut kanë diskutuar një takim të dytë të udhëheqësve të tyre më të lartë, pas një takimi të tillë në Singapor në qershor, për të hedhur themelet për përfundimin e kërcënimeve për një sulm bërthamor midis armiqve të vjetër.
“Planifikimet po vazhdojnë. Ne besojmë se samiti ka të ngjarë të ndodhë pas muajit të parë të vitit, por kur dhe ku është ende duke u diskutuar”, u tha Pence gazetarëve pas takimit me presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in.
Në një intervistë të veçantë me NBC News, Pence tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të kërkonin që Peniani të ofrojë një listë të plotë të armëve dhe vendeve bërthamore para takimit të dytë, por se takimi duhet të prodhojë një plan konkret.
“Mendoj se do të jetë absolutisht e domosdoshme në këtë samit të ardhshëm, që të dalim me një plan për identifikimin e të gjitha armëve në fjalë, duke identifikuar të gjitha vendet e zhvillimit, duke lejuar inspektimet e vendeve dhe planin për çmontimin e armëve bërthamore” tha Pence.
Në fjalimet e përgatitura për seancën plenare të Samitit të Azisë Lindore, Pence tha se ishte thelbësore që presioni ndërkombëtar i sanksioneve të ruhej në Korenë e Veriut, derisa të arrihej denuklearizimi i plotë.
Top Channel