Kryetari i Komisionit të Integrimit, Genc Pollo, reagoi lidhur me takimin e djeshëm të Këshillit të Stabilizim-Asocimit Shqipëri-BE.
Sipas tij, deklarata e Mogherinit “tregoi qartë se qeveria rilindiste është pengesë serioze për luftën ndaj krimit e korrupsionit dhe për rrjedhojë për integrimin e vendit në BE”.
“Kush pretendon se dje në Bruksel, në Këshillin e Stabilizim Asocimit (KSA) qeveria Rama mori lavdërimin e radhës nga Komisioni Europian, do të ketë dëgjuar vetëm intervistat e Bushatit, por nuk ka mundësi të ketë lexuar deklaratën e KSA, ku pala evropiane u kryesua nga Përfaqsuesja e Lartë Mogherini. Ndërkohë që në mbledhjen para një viti, më 15 nëntor 2017, znj. Mogherini “mirëpriti hapa kundër krimit e korrupsionit e suksese kundër kanabisit”, në vijim të mbledhjes së djeshme u tha se “BE ritheksoi nevojën kritike për të arritur rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht kundër kultivimit e trafikimit të narkotikëve”, shprehet Pollo.
Demokrati vazhdon më tej: “Kontrasti sipas Mogherinit duket qartë. Në 2017 mirëpresin hapat, në 2018 ritheksojnë nevojën kritike për rezultate të prekshme; në 2017 flitet në përgjithësi për krim e korrupsion, në 2018 për korrupsion në të gjitha nivelet; në 2017 flitet vetëm për kanabis, në 2018 flitet për “drugs” pra narkotikë të tërë llojeve, përfshi kokainën. Edhe në këtë lagje të Brukselit dashamirëse me ta Rama e Bushati nuk ndërtojnë dot më Fasadën e Potjemkinit. Edhe kjo deklaratë tregon se qeveria rilindiste po bëhet gjithnjë e më shumë pengesë për hapjen e negociatave të antarësimit”.
Top Channel