Deputeti i Partisë Demokratike, Luciano Boçi deklaroi se “buxheti për arsimin në Shqipëri është në nivelin më të ulët të investimeve në Europë”.
Sipas tij, “nuk ka asnjë përpjekje për të rikthyer në shkollë 134 mijë fëmijë dhe të rinj që kanë braktisur arsimin”.
“Këtë vit u mbyllën rreth 228 shkolla të sistemit parauniversitar”, theksoi Boçi.
“Arsimi në mënyrë të përsëritur për 6 vite rresht mbetet sektori më i përçmuar, më i denigruar dhe më i lënë pas dore në qeverisjen e Edi Ramës. Buxheti për arsimin i këtij viti konfirmon se Shqipërinë ndër vendet e fundit në Europë për investimet në arsim. Ai zë vetëm 2.23% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, që është dhe niveli më i ulët historik i financimit të arsimit që nga viti 2005. Premtimi i bujshëm i rritjes në 5% të këtij buxheti në raport me prodhimin e brendshëm bruto është hedhur në koshin e plehrave si shumë premtime të tjera të Edi Ramës”, u shpreh Boçi.
“Ky nivel mizerabël financimi nuk siguron as arsim cilësor dhe as arsimim për të gjithë fëmijët e të rinjtë shqiptarë, duke i detyruar ata të paguajnë shumë para shtesë nga xhepat e tyre dhe buxhetet familjare. Buxheti 2019 nuk lehtëson problemet e shumta që lidhen me pozitën e mësuesit, me pagat dhe mbështetjen e tyre. Nuk zgjidh as problemet e nxënësve, të shkollave, të laboratorëve, të bibliotekave, të mjeteve didaktike, të klasave kolektive dhe të transportit. Në Buxhetin 2019 nuk ka asnjë perpjekje për të kthyer në shkollë 134 mijë fëmijët dhe të rinjtë që e kanë braktisur atë vitet e fundit. Sipas statistikave zyrtare, sivjet rezultojnë se janë mbyllur rreth 228 shkolla të sistemit parauniversitar”, shtoi deputeti demokrat.
Top Channel