Kjo është një tjetër shenjë që ne po ecim drejt së ardhmes; Policia e Dubait shumë shpejt, mund të patrullojë nëpër rrugë me hoverbike, një lloj biçiklete fluturuese.
Policët në Dubai aktualisht po trajnohen që të mësojnë të ngasin mjetet e reja që janë prodhuar dhe dërguar në destinacion nga një kompani teknologjike me bazë në Kaliforni.
Qyteti në Emiratet e Bashkuara Arabe krenohet me statusin e tij futuristik dhe nisi bisedimet vitin e kaluar me kompaninë kaliforniane për mjetet e reja të patrullimit të policëve.
Shpresohet që mjetet do të hyjnë në përdorim deri në 2020-ën si një mënyrë për të lejuar oficerët të arrijnë zonat ku është i vështirë aksesi. Pavarësisht se policia e Dubait është klientja më e madhe aktuale e hoverbike, kushdo mund të porosisë një të tillë për 150 mijë dollarë.
Mjetet kanë marrë madje edhe licencën e Administratës Federale të Aviacionit për fluturim. Ato peshojnë 115 kg, fluturojnë pesë metra mbi tokë dhe mund të arrijnë shpejtësinë e rreth 100 km në orë.
Janë disa në fakt kompanitë që po punojnë për t’i bërë mjetet fluturuese një realitet. Uber po punon me ushtrinë amerikane, NASA-n dhe prodhues avionësh si Bell, Embraer dhe Aurora Flight Services për një mjet fluturues që shpreson se do të nisë testimin në 2020. Ndërsa një kompani nga Sinsinati shpreson të marrë lejen e administratës së aviacionit për një helikopter personal deri në 2021.
Top Channel