Banorët e Selitës, Kodrës së Diellit apo Liqenit të Thatë nuk kanë pse shkojnë më në Farkë për t’u pajisur me certifikatë apo për një shërbim të caktuar, pasi për ta janë hapur zyra të reja në zonën e Selitës.

“Si kryetar i bashkisë ka qenë ëndërr që të afronim shërbimin tek qytetarët dhe që ky shërbim të reflektonte realitetin e Tiranës sot. Që do të thotë: nëse Tirana është rritur përtej vijës së verdhë, tek Unaza e Re, Kodra e Diellit, Kopshti Zoologjik, Kopshti Botanik dhe Liqeni i Thatë dhe pjesa tjetër tek Fresku, midis Dajtit dhe Kinostudios, atëherë shërbimet tona duhet të reflektojnë këto realitete, ndaj fillojmë me promovimin e lagjes së parë. Njësia administrative 13 është këtu, në rrugën Rrapo Hekali”, u shpreh Veliaj.

Por, përfitues i kësaj lagjeje të re është edhe vetë kryetari i bashkisë, i cili deri më tani i ka marrë shërbimet në njësinë numër 2: “Do të jem i pari që do të përfitoj nga lagjja e re, do të transferoj Ajolën, Kajanin dhe veten time këtu, për disa arsye: së pari, se qendrën e votimit do ta kem këtu dhe nuk ka nevojë të transferohem në pjesën tjetër të Tiranës; së dyti, shërbimet do t’i marr këtu”.

Mandej, ai u bëri thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë mundësinë e krijuar nga Qeveria dhe Parlamenti për të transferuar vendbanimin në njësitë ku banojnë realisht, duke përfituar nga amnistia.

Top Channel