Ekonomia gjermane ka ndryshuar kurs në katërmujorin e tretë të vitit, duke u tkurrur për të parën herë që nga viti 2015, me një pozicion më të dobët tregtar dhe me shpenzime më të ulëta të konsumatorëve, që kanë rënduar mbi ekonominë më të madhe në Europë.
Produkti i Brendshëm Bruto ra me 0.2 për qind, krahasuar me katërmujorin e dytë, kur rritja ishte 0.5 për qind. Ky rezultat është më i dobëti që nga 3 muajt e parë të vitit 2013, kur ekonomia u tkurr me 0.3 për qind, dhe kontraktimi i parë që nga katërmujori i parë i vitit 2015.
Sipas të dhënave të “Destatis”, Zyrës së Statistikave të Gjermanisë, ekonomia u kontraktua mes korrikut dhe shtatorit, pasi pozicioni i Gjermanisë në tregtinë e jashtme u përkeqësua. Eksportet ranë dhe importet u rritën, në një vend që tradicionalisht njihet si një superfuqi eksportesh.
“Destatis” njoftoi se kishte sinjale të përziera për kërkesën e brendshme, me familjet gjermane që shpenzojnë më pak, por me firmat që investojnë më shumë në makineri, pajisje dhe ndërtim.
Shpenzimet qeveritare ishin po ashtu më të larta në katërmujorin e tretë. Dobësimi në tregti, pjesërisht erdhi si pasojë e faktorëve të përkohshëm, përfshirë problemet në industrinë e prodhimit të automobilëve, para se testet më rigoroze të testimit të emetimit të hynin në fuqi në shtator, por ekonomistët paralajmërojnë se ka edhe zhvillime të tjera shqetësuese në vend.
Top Channel