E kërkojnë në të gjithë vendin, Nikola Gruevski bëhet i gjallë nëpërmjet Facebookut. Ish-kryeministri maqedonas, në emër të të cilit ka sot një fletarresti, shkroi në rrjetin social se ndodhet në Budapest dhe se ka kërkuar azil nga autoritetet hungareze.
“Ditët e fundit kam marrë disa kërcënime me jetë. Do t’i jem gjithmonë besnik kauzës për Maqedoninë, nuk do të heq dorë asnjëherë”, ka shtuar ai.
Mediet vendase supozonin më herët se ish-kryetari i partisë më të madhe opozitare, VMRO-DPMNE, mund të ishte në Beograd dhe se gjatë largimit ka pasur, me gjasë, edhe ndihmën e presidentit Gjorge Ivanov.
Policia maqedonase ka qenë duke pritur një urdhër gjykate për të bastisur zyrat e VMRO-së. Episodi shkaktoi tensione deri në pikën që ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski fajësoi organet gjyqësore për situatën, me argumentin se duhet të kishin caktuar masën e paraburgimit, duke qenë se Gruevski po gjykohet ndërkohë për vepra të tjera edhe më të rënda.
Përpjekjen e policisë për bastisje, drejtues të VMRO-së e përshkruan si presion politik, e folën deri edhe për rrethim prej forcave të saj. Majin e këtij viti, Gjykata Themelore në Shkup e shpalli ish-kryeministrin fajtor për rastin “Tanku” dhe e dënoi me 2 vite burg.
Gruevski e apeloi vendimin që e ndëshkonte për shpërdorim detyre, me blerjen e një Mercedesi superluksoz me vlerë mbi gjysmëmilioni eurosh, gjatë kohës që kishte në duar frerët e ekzekutivit.
Top Channel