I shënoi Interit në fundjavë dhe me Kombëtaren Berat Gjimshitin vjen tejet i karikuar për të dhënë maksimumin për ndeshjet e radhës.

Gjimshiti shprehet se gjithmonë me Kombëtaren është i karikuar dhe jep maksimumin dhe këtë gjë do të bëjë edhe këtë herë nëse do të jetë në formacion. “Nuk e di nëse është momenti më i mirë. Besoj është një moment i bukur, personalisht. Unë gjithmonë vij këtu për të dhënë maksimumin. Nuk ka problem nëse kam shënuar gol apo jo. Çfarë nuk po shkon te skuadra? Me Izraelin e patëm në dorë lojën, bëmë një ndeshje të mirë, nuk e merituam humbjen. Te goli i parë ishim të ngrirë, nuk e pritëm që do ta godiste portieri. Bëmë gabim të gjithë. Ato gjëra ndodhën, të mundohemi të bëjmë më mirë. Nuk e di nëse do të luaj me Skocisë. Nëse jam në fushë, provoj të jap më të mirën. Në fillim duhet të mbroj, pastaj nëse del rast për të shënuar akoma më mirë”, shprehet mbrojtësi.

Përballë “yjeve” të Serisë A: Mendoj se është e vështirë t’i markosh të gjithë sulmuesit. Nuk është vetëm Icardi, në Itali ka nivel të lartë. Është një vlerësim psikologjik dhe duhet të japësh maksimumin të mos lejosh për të shënuar gol.

Cana dhe rreshtimi me tre: Ne duhet të shikojmë përpara. Futbolli ecën shpejt. Të gjithë duhet të japin kontribut që të jemi sa më të fortë dhe të bashkuar. Rreshtimi me tre? Është si alternativë. Mendoj që kemi shumë lojtarë që kanë luajtur disa herë atë sistem në ekipet e tjera. Nuk besoj se do jetë problem. E vendos trajneri. Mbrojtja bëhet me gjithë ekipin, nuk mbrohet vetëm me mbrojtësit. Ato që bëmë ishin gabime personale. Ndaj Izraelit kemi bërë gabime më shumë personale. Na kushtoi.

Skocia: Besoj se me Skocinë do jetë një ndeshje e vështirë. Ata luajtën më mirë atje, ne kemi rastin që të tregojmë vlerat tona. Në fund duhet të arrijmë atë që duam. Nëse luajmë si skuadër, e dimë që jemi të fortë. Tifozët? Mendoj që na kanë përkrahur gjatë gjithë kohës. Shpresoj që do të jenë në stadium, të na japin forcën e tifozit.

Top Channel