Në një kohë që deputetët e mazhorancës në Komisionin e Ekonomisë kërkuan rritje të kufirit të poshtëm të pagës bruto të patatueshme nga 30 mijë në 40 mijë lekë në muaj, qeveria po lëviz në kahun e kundërt.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj tha se në diskutimet nen për nen të buxhetit të vitit 2019 mund të dilet me një propozim për uljen e pragut të patatueshëm.
“Tatimin për të ardhurat personale do ta diskutojmë kur të vijmë nen për nen, besoj unë që janë 55% e të punësuarve që janë jashtë sistemit fiskal, pra nuk kontribuojnë fiskalisht përmes tatimit mbi të ardhurat personale, besoj që mund të maturojmë një propozim që ta ulim pragun nga 300 ta çojmë 100, apo t’i fusim në sistem në taksë 1,5% të gjithë. Unë e kam bërë një propozim, besoj që do të diskutohet në të ardhmen që t’i fusim të gjithë kontribues me 1,5% të ardhurash personale dhe bëjmë gjithë gamën e të punësuarve brenda sistemit kontributiv fiskal”, u shpreh Ahmetaj.
Deri në 6-mujorin e parë të këtij viti, në Shqipëri ishin rreth 1 milion e 300 mijë të punësuar. Sipas formulës së taksës progresive që është në fuqi, pagat deri 30 mijë lekë dhe gjithë pagat e tjera deri në këtë shumë nuk tatohen. Nëse zbatohet kjo formulë, atëherë ulja e pragut do të përfshinte të gjithë punëmarrësit në vend. Efektet financiare nuk janë bërë të ditura dhe çdo gjë do të varet nga propozimi konkret.
Paga minimale në Shqipëri për efekt fiskal është 24 mijë lekë në muaj, kështu që edhe nëse merret në konsideratë shkalla më e ulët e propozuar nga ministri i Financave për një taksim prej 1,5% të pagës, çdo i punësuar do të duhet të paguajë nga 360 lekë deri në 450 lekë më shumë në muaj si tatim mbi të ardhurat personale.
Top Channel