Zyrtarët qipriotë kanë hapur dy pikëkalime të reja kufitare gjatë kësaj të hëne, për herë të parë në 8 vite, në atë që duket si përpjekja e fundit për paqe mes dy palëve të ndara, pas dështimit të bisedimeve të mbështetura nga Kombet e Bashkuara vitin e kaluar.
Dhjetëra njerëz, nga jugu greko-qipriot i ishullit “mësynë” përmes pikëkalimit kufitar Dherynia (në lindje), ecën përkrah paqeruajtësve të OKB-së dhe kaluan drejt veriut të shkëputur të ishullit, të mbështetur nga Turqia.
Në të njëjtën kohë është hapur edhe pikëkalimi kufitar në Lefka apo Aplici, në veriperëndim të ishullit mesdhetar.
Përpara se të rihapej pika e Dherynias, ushtarët hoqën barrierat të përforcuara edhe me tela me gjemba, ndërkohë që një grup i vogël policësh qëndronin në gatishmëri për çdo situatë.
Por, pavarësisht debateve që lindën mes vëzhguesve në prag të hapjes së pikëkalimit kufitar, turma kaloi paqësisht përtej kufirit.
Lëvizja e fundit është mirëpritur edhe nga Elizabeth Spehar, përfaqësuesja speciale e OKB-së dhe kryetarja e forcës paqeruajtëse të OKB-së në Qipro. “Sot është një ditë e mirë për Qipron”, tha ajo në një deklaratë. “Këto pika kufitare do të luajnë një rol të rëndësishëm në ndihmesën ndaj popullit për të shtuar kontaktet mes tyre, e sigurisht do të kontribuojnë në ndërtimin e besimit dhe sigurisë mes komuniteteve të këtij ishulli”.
Zhvillimi i fundit shihet gjithashtu si një hap jetik për rigjallërimin e negociatave për paqe, që u shembën papritur në korrik të vitit të kaluar.
Qiproja është ndarë në linja etnike që prej vitit 1974, kur trupat turke mësynë dhe pushtuan veriun e ishullit, në kundërpërgjigje të një grushti shteti të sponsorizuar nga junta ushtarake greke, që ishte në pushtet në Athinë, me synimin për të bashkuar ishullin me Greqinë.
Qiproja ka qenë e përçarë për mbi 4 dekada dhe dy komunitetet jetonin të izoluara nga njëra-tjetra, derisa autoritetet turko-qipriote hapën rrugën për lëvizjen e lirë të qytetarëve në vitin 2003.
Top Channel