Banorët e Astirit, të cilët preken nga projekti i Unazës së Madhe, e zhvendosën protestën e tyre para Bashkisë së Tiranës.
Protestuesit, të cilët këmbëngulin në kompensimin e plotë financiar, kërkuan takimin me kryebashkikun Erjon Veliaj. Për më shumë se 1 orë ata pritën sinjal për takim, duke bllokuar edhe qarkullimin e automjeteve në krah të Bashkisë. Para se të largoheshin, banorët paralajmëruan se do riktheheshin sërish, duke kërcënuar me protestë pa afat.
Deputetë demokratë mbështetën protestën, ndërsa nga Selia Blu, zëdhënësja Ina Zhupa publikoi dokumentet, të cilat, sipas Partisë Demokratike, vërtetojnë se si janë parapërcaktuar 3 fituesit e projektit me vlerë 40 milionë Euro: “Skema korruptive është e qartë. Fituesit janë të tre të paracaktuar sepse në tre tendera të ndryshëm ka qenë vetëm një ofertues i vlefshëm, ndërsa pjesëmarrësi i dytë është futur për të legjitimuar tenderin dhe nuk ka bërë asnjë ofertë”.
Një ditë më parë, kryetari i Partisë Demokratike foli për kompani “offshore” dhe nën sekuestro, zëdhënesja e Selisë Blu zbuloi emrat e tyre: “Kompania DH Albania është krijuar në korrik të këtij viti, një muaj e gjysëm para hapjes së tenderit, nën emrin e kompanisë mëmë Dunëell Haberman ltd. Kompania mëmë e saj është kompani offshore, me pronarë të panjohur, e rregjistruar në Delaëare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili njihet si parajsë fiskale. Kompania tjetër, Biba X, ka nuk ka përvojë në ndërtim rrugësh, aktivitet të cilin e ka shtuar pak para se të shpallej fitues i tenderit prej 18 milionë euro. Kompania Biba X, ka qenë nën sekuetsro edhe gjatë periudhës kur ka marrë pjesë në tenderin e Unazës së Re”.
Partia Demokratike bëri thirrje që banorët që preken nga projekti i Unazës së Madhe t’u jepet dëmshpërblimi i plotë, ndërsa siguroi se kur të vijë në pushtet do u kthejë shqitparëve paratë e vjedhura përmes ligjit antimafia.
Top Channel