Në prag të dy përballjeve të rëndësishme ndaj Maltës dhe Azerbajxhanit, e para në transfertë dhe e dyta në shtëpi, Kosova ndjen presionin për një kualifikim potencial që ndoshta nuk e kishte menduar në Nations league. Trajneri i përfaqësueses, Bernard Shaland ka kërkuar lojë më të mirë se ajo kundër Ishujve Faroe, e më pas të mendojë për fazën tjetër.

“Para nesh janë dy ndeshje shumë të rëndësishme dhe po dëgjoj prej njerëzve këtu por edhe prej shqiptarëve që jetojnë në Zvicër që gjithmonë kërkojnë fitore, mirëpo më duhet ta përsëris. Për mua gjëja më e rëndësishme është se si të luajmë më mirë, dhe në këtë formë shpresoj të vijë edhe rezultati. Ndonjëherë suksesi është i rrezikshëm”, u shpreh Shaland.

Prapavija është një repart që po shqetëson trajnerin e përfaqësueses së Kosovës, dhe për këtë ai ka parë më shumë se 30 lojtarë të rinj që nga ndeshja e fundit

“Kam parë secilin prej tyre dhe e kam një ide të qartë. Mund të ketë ide të ndryshme por për mua me rëndësi është që të ketë një balancë. Është e rëndësishme të kalojmë në Play Off, por nuk do të jetë fundi i botës nëse Kosova nuk do të kualifikohet më tej. Kosova është duke e ndërtuar një shtëpi, Albert Bunjaku e ka vendosur themelin e saj, kurse detyra ime është të ndërtoj katin e parë të kësaj shtëpie”.

Kosova kryesuese e grupit impenjohet në Maltë në 17 Nëntor ndërsa mbyll këtë fazë në Ligën e Kombeve me sfidën ndaj Azerbajxhanit në 20 Nëntor.

Top Channel