E diela e sotme është tejet e pasur sa i përket futbollit. Edhe pse në Shqipëri, fokusin kryesor do ta ketë supersfida e “San Siro”-s mes Milanit dhe Juventusit, dy skuadra me tifozeri të zjarrta mes shqiptarëve, në ishullin britanik luhet gjithashtu një supersfidë, e bëhet fjalë as më pak e as më shumë, por derbin e Manchesterit.

Skuadra e “Citizens” vjen pas një periudhe të shkëlqyer, teksa kanë shënuar brenda 4 ditëve 12 gola, 6 ndaj Southampton dhe 6 ndaj Shakhtar Donetsk, për të treguar “dhëmbët” si kampionë në fuqi përpara “djajve të kuq”, të cilët gjithsesi mbeten rekordmenë të kampionatit anglez.

Me 1.4 miliardë stërlina të shpenzuara gjatë dekadës së fundit nga sheiku Mansour, Manchester City duket se e ka përmbushur më në fund objektivin e tij për të dominuar futbollin anglez. Ndryshe nga ta, “djajtë e kuq” e kanë humbur prej vitesh këtë status, e pavarësisht përpjekjeve të shumta sezonet e fundit, United vazhdon të jetojë me lavdinë e dikurshme.

Edicionin e kaluar, tifozët vendas u bënë gati për të festuar titullin pikërisht në derbin me “Red Devils”, megjithatë 20 herë kampionët e Anglisë shpërthyen plot krenari, duke përmbysur plot zemërim në vetëm një çerek ore lojë disavantazhin e dy golave të pjesës së parë.

Manchester City-Manchester United është gjithashtu një derbi që rikthen në fushat e blerta edhe duelin e shumëpërfolur në të kaluarën spanjolle, mes Guardiolës dhe Mourinhos, kur këta dy trajnerë të spikatur drejtonin respektivisht Barcelonën e Realin.

Bilanci mes tyre, që kur drejtojnë skuadrat nga Manchesteri, është i barabartë me nga dy fitore dhe një barazim, por vlen të theksohet se Guardiola nuk e ka thyer kurrë Mourinhon në “Etihad”. Edhe kjo supersfidë do të transmetohet drejtpërdrejt në Supersport 2 të platformës Digitalb.

Top Channel