Përballja e parë e finales së Kupës së Libertadores mes Boca Juniors dhe River Plate në “La Bombonera” nuk do të luhet sonte.

Reshjet e dendura të shiut që ranë gjatë pasdites së të shtunës në Buenos Aires, e bënë të pamundur zhvillimin e kësaj ndeshjeje që ishte historike për kompeticionin më të rëndësishëm, pasi këto dy skuadra përballen për herë të parë në një finale të tillë.

Konfederata Amerikano-latine e Futbollit, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter, konfirmoi shtyrjen e kësaj sfide për në mbrëmjen e së dielës.

Vendimi për pezullimin e kësaj finalje të parë u mor pasi tre arbitrat peruanë të ndeshjes, zbritën në fushën e lojës për të bërë verifikimin e terrenit, nga ku rezultoi se ishte praktikisht e pamundur që kjo finale të zhvillohej normalisht.

Finalja e Kupës Libertadores zhvillohet me sistemin vajtje-ardhje. Sfida e parë do të luhet në stadiumin e Bocas, “La Bombonera”, ndërsa ajo e kthimit do të luhet në 24 nëntor në stadiumin ‘Monumental’ të River Plate-t.

Të dy këto sfida do të transmetohen për publikun shqiptar, në ekranin e Supersport, si një tjetër dhuratë që Digitalb sjell për abonentët e tij.

Top Channel