Bashkimi Evropian kërkon që Prishtina dhe Beogradi të krijojnë një mjedis të përshtatshëm për vazhdimin e bisedimeve mbi normalizimin e marrëdhënieve dhe ripërsëriti që Kosova të heqë dorë nga taksat shtesë ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Thirrjet e Brukselit erdhën në vazhdën e takimit të radhës mes Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiçit, i cili përfundoi pa ndonjë përparim. Presidenti serb e kishte paralajmëruar se bisedimet nuk do të avanconin përsa kohë nuk rrëzohet taksa në fjalë, por edhe nuk hiqet dorë nga veprime tjera të Prishtinës.

“Serbia është e gatshme për bisedime, por para kësaj dikush duhet të sillet me përgjegjësi. Duhet të përmbushë pjesën e vet të mos kërcënojë serbët me dërgimin e ushtrisë. Mos të vendosë tarifa të reja. Nëse nuk e respektojnë një marrëveshje, si mund t’i respektojnë të tjerat?! Nuk janë në gjendje të formojnë Asociacionin, nuk mund ta respektojnë CEFTA-n, atëherë çka mund të respektojnë nga marrëveshjet e Brukselit”, tha Vuçiç.

Kosova vendosi taksën shtesë si kundërpërgjigje ndaj siç u tha, fushatës agresive të Serbisë ndaj shtetësisë së saj. Çështja e taksave ishte pjesë e takimeve dypalëshe të Federica Mogherinit me të dy presidentët por edhe atij trepalësh. Thaçi preferoi të mos komentonte mbi këtë teme por bëri thirrje për një bashkim të forcave politike në Kosovë përballë Serbisë.

Takimi i së enjtes ishte i pari që kur të dy presidentët kërkuan mbështetje ndërkombëtare për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të mund të përfshinte edhe prekjen e kufijve.

 

Top Channel