Prokurori Ramadan Troci doli përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) paraditen e së premtes.
Troci është kandidat për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP).
Aktualisht është prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Ai mbahet mend si prokurori që hetoi Ardian Fullanin dhe si prokurori që hapi çështjet e skandalit të tokave në Vlorë.
Sipas gjetjeve të KPK-së, Troci ka probleme me pasurinë. Ka një apartament në Paskuqan dhe një depozitë 2,5 milionë lekë. Apartamenti në Paskuqan prej 108, 7 m2 është deklaruar se është blerë 2,9 milionë lekë nga kursimet dhe pjesa tjetër tjetër kredi. Nga verifikimet e KPK-së rezulton se shtëpia në Paskuqan është blerë me vlerën e 45 mijë eurove. Kësti i parë prej 20 mijë eurosh është paguar para lidhjes së kontratës. 20 mijë euroshi i dytë është paguar pasi u lidh kontrata. Pjesa e mbetur është paguar në përfundim të ndërtimit.
Troci tha në seancën dëgjimore se burimet e tij janë të ligjshme: “Nuk kam fshehur pasuri, kur ai apartament u ndërtua, Paskuqani nuk ishte zonë e zhvilluar”.
“Keni administruar një ankesë anonime. Kini kurajon dhe më dëgjoni! Jam prokurori që kam sekuestruar e dërguar në llogari të shtetit toka me vlerë 850 milionë euro. Në atë kohë nisën sulmet ndaj meje sepse u prekën shumë njerëz. Çfarë nuk kanë thënë dhe çfarë nuk kanë bërë duke më kërcënuar”, shtoi Troci.
Top Channel