Kancelarja gjermane Angela Merkel i ka dërguar Ramush Haradinajt një letër, ku përcjell mbështetjen e Berlinit zyrtar për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

Shefi i ekzekutivit kosovar e postoi në Facebook letrën e marrë nga Merkel, përmes ambasadorit gjerman në Prishtinë, Christian Heldt.

Në mesazhin e tij, Haradinaj sqaron se letra konfirmon më së miri përkrahjen e fuqishme të anëtarësimit të Kosovës në organizmin ndërkombëtar të luftës kundër krimit të organizuar.

“Mbështetja e Gjermanisë mike për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL vjen në një moment kyç për konsolidimin ndërkombëtar të vendit tonë”, thotë ai.

Kancelarja Merkel vë në pah se ky akt do ta fuqizojë integrimin e Republikës së Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare, e është në shërbim të përmirësimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe hetimit të krimit transnacional.

“Thellësisht mirënjohës Kancelares Merkel dhe shtetit gjerman për mbështetjen e vazhdueshme”, shkruan Haradinaj. “Ky konsiderohet një sinjal paraprak i përkrahjes së Merkelit në tërësi për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare; INTERPOL-i është vetëm fillimi”.

Prishtina synon pranimin atje më 20 nëntor, kur mbahet dhe Asambleja e Përgjithshme e këtij organizmi.

Tre ditë më parë, gjatë ndalesës së tij në kryeqytetin kosovar, edhe kancelari austriak Sebastian Kurz premtoi votën pro të Vjenës, që Kosova të bëhet pjesë e INTERPOL-it. Kurz madje e përshkroi këtë hap si një prioritet të Presidencës austriake, me qëllimin – siç tha, – të mbështeten shtetet e Ballkanit në afrimin me BE-në, e kjo vlen veçanërisht për reforma në sigurinë e brendshme.

Top Channel