Grupi më i madh politik i Bashkimit Evropian paralajmëroi të mërkurën kryeministrin hungarez Viktor Orban që mund të konsideronte përjashtimin e partisë së tij Fidesz nga radhët e veta, për shkak të shqetësimeve mbi sundimin e ligjit dhe liritë demokratike.

Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë (PPE) mbështeti një rezolutë të veçantë në kongresin e saj vjetor në kryeqytetin finlandez, Helsinki, duke kërkuar respekt për vlerat dhe liritë që mbështesin BE-në dhe duke thënë se ata përballeshin me një kërcënim serioz.

Rezoluta nuk iu referua në mënyrë eksplicite Hungarisë, por zyrtarë nga PPE, që përfshin edhe Kristianët Demokratët e Kancelares gjermane Angela Merkel, thanë se kjo ishte menduar si një mesazh i drejtpërdrejtë për Orbanin dhe partinë e tij.

“Ekstremizmi populist dhe nacionalist, disinformimi, diskriminimi dhe kërcënimet ndaj sundimit të ligjit përbëjnë kërcënimin më të madh për lirinë dhe demokracinë në Evropë, që nga rënia e Perdes së Hekurt”, thuhej në rezolutë.

“Theksojmë se Bashkimi Evropian është i bazuar në vlerat e respektit për dinjitetin njerëzor, lirinë, demokracinë, barazinë, sundimin e ligjit … Ne u bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve dhe shoqatave të PPE-së që të respektojnë, mbrojnë dhe promovojnë këto parime”.

Kancelari austriak Sebastian Kurz, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të BE, tha se vlerat e bllokut ishin “të shenjta … pavarësisht nga partia që lideri qeveritar i përket dhe nëse kjo është në Hungari, Rumani, Poloni, Maltë, Greqi apo Itali”.

Ato gjashtë kombe janë akuzuar të gjithë në kohë të ndryshme gjatë vitit të kaluar, për shkak të mosrespektimit të vlerave të BE.

Që nga fitorja e pushtetit në vitin 2010, Orban dhe Fidesz kanë shkaktuar shqetësim në Bruksel, duke i bërë presion gjykatave të Hungarisë, mediave dhe grupeve joqeveritare, dhe gjithashtu duke refuzuar të marrin azilkërkuesit që vijnë në Evropë..

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA