Çmimet në Venezuelë janë rritur me 833.997 për qind në 12 muaj dhe këtë e tregon një raport i publikuar nga Kongresi i kontrolluar nga opozita.
Inflacioni mujor, sidoqoftë ka rënë në 148 për qind, krahasuar me 233 për qind që ishte në shtator, sipas të dhënave, por vendi i OPEC-ut është pranë shifrës 1 milion për qind të inflacionit këtë vit, shifër kjo e parashikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar pas 5 vitesh radhazi recesion.
Kongresi është bërë i vetmi burim për të dhënat ekonomike, pasi Banka Qendrore ndaloi publikimin e informacioneve të tilla rreth 3 vite e gjysmë më parë, ndërsa ekonomia u godit rëndë si pasojë e rënies së çmimit të naftës së papërpunuar.
Presidenti socialist Nicolas Maduro i hoqi në gusht pesë zero monedhës bolivar dhe rriti pagën minimale me 30 herë, në përpjekje për të stabilizuar inflacionin që ka rrënuar fuqinë blerëse dhe ka kontribuuar në një eksod, gjatë të cilit dy milionë venezuelianë kanë emigruar që nga viti 2015.
Por, inflacioni ka vijuar të rritet. Kritikët fajësojnë vite ndërhyrjeje qeveritare në ekonomi, përmes kufizimeve strikte të këmbimit të valutave dhe kontrollit të çmimeve, për kolapsin e ekonomisë që ka bërë që të mungojnë në mënyrë kronike edhe ushqimet, ilaçet dhe produkte të tjera bazë.
Në anën tjetër, Maduro fajëson Shtetet e Bashkuara për gjendjen e krijuar, duke argumentuar se sanksionet e Uashingtonit synojnë të destabilizojnë qeverinë e tij dhe kontrollin e rezervave të naftës në vend.
Ekonomistët lokalë janë të shqetësuar se inflacioni mund të përshpejtohet në dy muajt e fundit të vitit, për shkak të bonuseve që iu janë dhënë punonjësve të shtetit, që kishin si qëllim rritjen e fuqisë blerëse gjatë sezonit të festave. FMN pret që hiperinflacioni të arrijë në 10 milionë për qind në vitin 2019.
Top Channel