Prej kohësh, Top Channel ka trajtuar problematikat e shkaktuara nga djegia e mbeturinave në vende të hapura pranë qendrave të banuara, si dhe në landfille, situatë e cila është vënë menjëherë në dukje edhe nga ministri i Brendshëm i komanduar, Sandër Lleshi.

Lleshi i ka dërguar një mesazh policisë ditën e sotme duke i dhënë urdhër të merren masa të menjëhershme lidhur me ndotjen.

“Siç jeni në dijeni, ditët e fundit është shtuar problematika lidhur me djegien e mbeturinave në vende të hapura pranë qendrave të banuara, si dhe në landfille, duke u kthyer kështu në një rrezik serioz për shëndetin e banorëve pranë tyre. Informacionet e fundit tregojnë se Qarqet më problematike janë ato të Durrësit, Vlorës, Kukësit, Tiranës dhe Dibrës.

Nisur nga sa më sipër, kërkoj që strukturat vendore të Policisë së Shtetit të marrin masa urgjente për të mbajtur nën kontroll situatën në të gjithë territorin e vendit. Për këtë, ato të bashkëpunojnë ngushtë me strukturat përgjegjëse në Prefektura, Bashki, Njësi Administrative, si dhe me ato të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, me qëllim ndalimin e zjarreve në landfille dhe vende të hapura publike. Po ashtu, strukturat e Policisë të komunikojnë edhe me kompanitë e kontraktuara për pastrimin e qyteteve/njësive vendore, për t’i dhënë fund një fenomeni të tillë të rrezikshëm.

Sa më sipër, kërkoj nga Policia e Shtetit raportime të veçanta ditore për këtë çështje”, thuhet në mesazhin e Lleshit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA