Zheji në “Top Talk”: “Semafori i kuq” i Metës ndaj Ramës, sa volumi i opozitës në një vit

07/11/2018 16:35

A është thjesht një matje forcash në distancë, apo pritet një përplasje reale President-Qeveri? Pse po e pret qeveria presidentin Meta për rishqyrtimin e vendimit për të dekretuar Sandër Leshin ministër të Brendshëm? A është presidenti pjesë e skenarit të opozitës për të rrëzuar qeverinë?

Këtyre pyetjeve iu është përgjigjur si i ftuar i gazetarit Denis Dyrnjaja në emisionin “Top Talk”, analisti Artur Zheji. Ai e konsideroi veprimin e Metës si të parin “semafor të kuq” të bujshëm ndaj kryeministrit Rama.

“Nuk i zë besë kryeministrit kur flet për krisje, sepse pak kohë më parë ka thënë se Meta ishte presidenti më i mirë i të gjitha kohërave, aq sa shumë aluduan se marrëdhëniet PS-LSI apo më saktë mes Metës dhe Ramës ishin përmirësuar në mënyrë befasuese. Duke i besuar Nikollë Lesit, thuhet se ai ka ndërruar fjalim në momentin e fundit, pasi do të thoshte ‘çarje’ dhe përfundoi te ‘krisja’. Duke qenë se kryeministri shet për fat të keq më shumë formë sesa përmbajtje, do të thoja se ka një mospajtim midis qëndrimit kryeministror dhe sidomos atij presidencial. Mendoj gjithashtu se Rama pati më në fund një pengesë, një ‘semafor të kuq’ institucional të bujshëm. Ka pasur disa të tillë, sidomos për marrëveshjen e detit, teatrin po e konsideroj si çështje të vogël, por këtu pati bujë, sepse Rama mendoi se këshilltarin e tij mund ta katapultonte nga paradhoma e tij në postin e ministrit”, u shpreh Zheji, që deklaroi gjithashtu se kjo është më shumë sesa krisje, ndoshta një ndarje.

Por a është kjo telenovela e radhës, mes dy politikanëve që kanë pasur në të kaluarën dashuri të forta dhe përplasje gjithashtu të forta, deri në epitete nga më monstruozet për njëri-tjetrin, që më tej janë kthyer në buzëqeshje, dreka, ngjala etj.?

“Dua të bëj një paralelizëm mes debateve midis Berishës kryeministër dhe Bamir Topit president, përfshi edhe kryeprokuroren Ina Rama, që vërtet ishte i ashpër, por nga ana e pushteteve të ndara ishte gjë e shëndetshme, pasi këto institucione funksionojnë realisht më të pavarura nëse janë nën konflikt. E njëjta situatë është edhe tani, pasi kemi parë një kryeministër që ka futur duart në të gjitha institucionet, ndërkohë që prej një viti Meta heshtte. Për herë të parë në këtë një vit presidencë, pamë një ‘semafor të kuq’ të plotë. Kjo është e shëndetshme për demokracinë”, shpjegoi Zheji.

I pyetur nga gazetari Dyrnjaja, nëse vlen kjo përplasje “oligarkësh” të politikës për një prishje të paqes sociale për interesat e këtyre “semaforëve të kuq” dhe për unin politik, Zheji tha se vetëm për paqe sociale nuk mund të flitet në këtë realitet.

“Nuk flasim dot për paqe sociale në një vend ku, në mes të ish-Bllokut ndodh një vrasje dhe një plagosje në një nga zonat më popullore me adoleshentë dhe të rinj jo vetëm të Tiranës, por edhe të Shqipërisë. Nuk flasim dot për paqe sociale, kur vetëm 12 orë më parë patëm një vrasje të dyfishtë të stilit mafioz, nga ato që sheh në Katania dhe jo në Palermo. Ne ndërkohë nuk e dimë sesi do të jetë përgjigjja e bandës së atyre që u vranë. As nuk mund të flasim për paqe sociale kur shumë shqiptarë duan të ikin nga Shqipëria. Nëse kjo është paqe sociale, atëherë shumë mirë që kjo e shtirura të thyhet dhe të kalojmë në një vërtetësi sociale, ku të pranojmë cilat janë plagët tona dhe të shohim nëse ka kurë për këto plagë”, tha Zheji.

E pavarësisht gjithë këtij “frustrimi” ndaj kësaj qeverie, njerëzit sërish nuk dalin në rrugë për problemet e tyre. A vjen kjo sepse shqiptarët janë të lodhur, nuk kanë shpresa tek opozita, apo sepse bien dakord me kryeministrin e përkufizuar nga vet Zheji?

“Gjithë presioni i njerëzve që kanë një konstrukt intelektual e social, apo zanatçinjtë e profesionistët e zotë, të cilët kanë kuptuar se nuk mund të kenë më shpresë e besim këtu, kanë zgjedhur të largohen duke ulur presionin social. Kjo, ndryshe nga ç’ndodhi në vitet ’90, kur ish-kryeministri Ramiz Alija hapi ‘valvulën’ e tenxheres me presion për t’i nxitur shqiptarët më të irrituar drejt ambasadave. Sot nuk i ke më në rrugë, por i ke nëpër aeroporte apo porte. Presion social, si kulturë ne kemi pasur, e këtë e tregoi protesta kundër armëve kimike në 3 javët e para të kësaj qeverisjeje. Nëse kanë zgjedhur mënçurisht apo në mënyrë të trishtueshme, këtë nuk e them dot, por ata mendojnë se më mirë bëjnë gati një valixhe”, deklaroi Zheji.

Zheji iu përgjigj edhe pyetjes nëse pas këtij “semafori të kuq” të presidentit fshihet opozita, apo nëse ka një lloj bashkërendimi mes qëllimit të opozitës për të krijuar një krizë institucionale dhe kreut të shtetit.

“Unë besoj se edhe opozita, PD-LSI, është gjetur e befasuar nga reagimi i presidentit. Të befasuar madje janë ndierë shumë njerëz. Fakt është që Rama foli për krisje dhe jo për çarje dhe as nuk e përmendi fjalën ‘impeachment’ që do të thotë tentativë për të shkarkuar presidentin”, deklaroi Artur Zheji, i cili e cilësoi aktin e presidentit Meta si të barabartë me të gjithë volumin e opozitës shqiptare të një viti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA