Intervista e trajnerit të Flamurtarit, Ilir Daja, dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport”, pas përfundimit të takimit me Luftëtarin, që u mbyll në barazim pa gola.
Rezultati i sotëm duket se nuk i shkon për shtat Flamurtarit…
Rezultati jo e jo, por më shqetëson edhe loja që bëmë, veçanërisht ajo që treguam në pjesën e parë, ku nuk arritëm të organizohemi dhe vuajtëm shumë ndaj kundërshtarëve. Nuk ishte problem lodhjeje, por disi edhe e ndikuar nga mungesa e sulmuesve. Gjithsesi duhet të punojmë që të sillemi njësoj, si në ndeshjet në Vlorë, ashtu edhe në ato në transfertë. Skuadra ka njëfarë “ngërçi” kur luan në shtëpi dhe duhet të përmirësojmë këtë lloj manovre.
Pas fitores me Kukësin, pati shumë pritshmëri ndaj jush, por sot nuk ia dolët t’i përmbushnit…
Pas një loje shumë të mirë të zhvilluar në Kukës, ne nuk arritëm të injektojmë vazhdimësinë, pasi duhet të pranoj se sot nuk merituam të merrnim më shumë, ndaj Luftëtarit. Duhet të punojmë për të gjetur vazhdimësinë në rezultate, por veçanërisht në lojë.
Çfarë duhet të ndryshoni për të dalë aty ku doni…
Duhet të ndryshojmë në atë 1/3-ën e parë të fushës, ku edhe fillon ndërtimi i aksioneve. Duhet të luajmë qetësisht aty dhe pa u mërzitur, deri kur të gjejmë kohën e duhur për të dalë në sulm. Bushiç nuk është sulmues që sulmon thellësitë, ndaj duhet të shkojmë gradualisht dhe ta çojmë ne në thellësi, për t’i shërbyer më pas me krosime nga krahët. Megjithatë duhet të sigurojmë mbi të gjitha qetësinë psikologjike, që është shumë e rëndësishme për të përballuar si duhet një takim futbolli.
Të dielën riktheheni në Korçë. A jeni gati t’i shkaktoni humbjen e radhës Skënderbeut?
Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, pasi Skënderbeu është absolutisht skuadra më e konsoliduar në futbollin shqiptar dhe mbi të gjitha janë kampionët në fuqi. Gjithsesi edhe ata kanë probleme dhe ne duhet t’i evidentojmë dhe t’i shfrytëzojmë dobësitë e kundërshtarit, për të kthyer lojën në favorin tonë.
A jeni penduar që u larguat nga Korça?
Unë nuk jam penduar sepse së pari nuk kisha më çfarë të jepja në atë skuadër, pasi kisha fituar gjithçka. Për më tepër, nuk mund të punoja duke pritur vendimin e KAS-it, që shpresoj të jetë në favor të Skënderbeut, për të mirën e korçarëve dhe mbi të gjitha të futbollit shqiptar. Nuk jam penduar asnjëherë që mora drejtimin e Flamurtarit, që mu paraqit si një sfidë dhe po mundohem t’ia dal sa më mirë.
Flamurtarit duket se i mungon një penallti…
E kam parë atë rast, por nuk dua të merrem me arbitrimin sot, pasi nuk dua t’i krijoj alibi skuadrës. Nuk është se ne bëmë më të mirën, apo merituam më shumë, ndaj vetëm ky është aspekti, ku dua të ndalem në analizën e këtij takimi.
Top Channel