Gola, spektakël dhe surpriza në 3 sfidat e orës 14:00 të së mërkurës të vlefshme për javën e 12-të të Kategorisë Superiore. Skënderbeu pësoi humbjen e 2-të sezonale pasi u mposht në stadiumin Selman Stërmasi me rezultatin 2-0 nga Laçi.
Një fitore e merituar nga kurbinasit me një Skënderbe që luajti dobët dhe e kishte të vështirë të reagonte. Goli i shpejtë i Shtubinës i dha zemër skuadrës së Memellit, i cili mori fitoren e dytë radhazi në krye të Laçit ndërsa për një gabim të Bruno Ditës erdhi edhe goli i dytë i mbrojtësit Gjoni pak minuta përpara fundit që vulosi fitoren e bardhezinjëve që me këtë sukses u ngjitën në vendin e 3-të në kuotën e 22 pikëve.
Kur ndeshja ishte 1-0 në favor të Laçit, Skënderbeu shpërdoroi disa mundësi të mira për të barazuar por nuk e gjeti dot golin pasi sulmuesit korçarë, Bregu, Krasniqi, Oto John dhe Hoxhaj ishin në një ditë jo. Me këtë disfatë skuadra e Shehit humbi edhe kreun e renditjes që tashmë i takon sërish Partizanit. Të kuqtë bënë detyrën në transfertën e Fushë-Krujës ndaj Kastriotit duke fituar 1-2 në një ndeshje që u zhbllokua edhe Jurgen Bardhi autori i të dy golave për Partizanin.
Goli i Roger në minutën e 37-të ringjalli shpresat e Kastriotit për të marrë pikë në këtë sfidë por në pjesën e dytë Partizani ishte sërish më kërkues duke humbur disa mundësi të mira për të gjetur golin e tretë madje u ndal edhe nga traversa.
Me suksesin e dytë radhazi në kampionat skuadra e Gegës u ngjit në kuotën e 28 pikëve, duke rimarrë kreun me dy pikë avantazh ndaj Skënderbeut. Vijon ecuria e shkëlqyer e Teutës. Durrsakët morën një fitore me përmbysje me shifrat 1-3 në fushën e Kamzës duke fundosur skuadrën e periferia e kryeqytetit.
Një ndeshje me dy tablo me Kamzën që zhvilloi një pjesë të parë shumë të mirë duke kaluar në avantazh me mbrojtësin italian Bonnani dhe duke humbur disa raste për të dyfishuar shifrat, por në pjesën e dytë u shfaq në fushë një tjetër Teutë që e dominoi takimin dhe përmbysi rezultatin me golat e Amadu Latif me penallti, Prognit dhe Beqajt duke marrë fitoren e 4-t në 5 ndeshjet e fundit dhe duke u ngjitur në kuotën e 21 pikëve. Përsa i përket Kamzës, Klodian Duro me këtë humbje i ka orët të numëruara në stolin e skuadrës nga periferia e kryeqytetit.
Top Channel