Greqia dhe kisha e saj e fuqishme ortodokse ranë dakord paraprakisht të martën për të hequr rreth 10.000 priftërinj dhe stafin ndihmës nga lista e pagave të shtetit, në një marrëveshje që mund të hapë rrugën për një dallim më të qartë midis kishës dhe shtetit.
Kisha Ortodokse Greke ka luajtur një rol udhëheqës në jetën e vendit për shumë shekuj dhe konsiderohet feja zyrtare e shtetit me përcaktim kushtetues. Për shumë grekë, identiteti i tyre kombëtar është i lidhur ngushtë me fenë e tyre.
Sipas marrëveshjes, të arritur mes kryeministrit grek Alexis Tsipras dhe kryepeshkopit Ieronymos të Kishës së Greqisë, shteti në të ardhmen do të transferojë një subvencion vjetor shtetëror për një fond të veçantë ndaj kishës, për pagimin e rrogave të priftërinjve.
Marrëveshja parashikon gjithashtu një zgjidhje për një mosmarrëveshje të vjetër mbi pronën midis shtetit grek dhe Kishës, që është një nga pronarët më të mëdhenj të pasurive të paluajtshme të vendit.
Kreditorët e Greqisë i kanë kërkuar prej kohësh qeverisë që të shesë asetet dhe të zvogëlojë numrin e punonjësve të sektorit publik. Sipas sistemit aktual, pagat e priftërinjve paguhen drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit, siç janë ato të të gjithë nëpunësve civilë.
Kostoja vjetore e priftërinjve në listën e pagave të qeverisë vlerësohet në rreth 200 milionë euro. Marrëveshja e së martës duhet ende të miratohet nga kabineti, parlamenti dhe udhëheqësit e kishës.
Top Channel