Të gjitha komisionet parlamentare po diskutojnë sot në lidhje me projektbuxhetin e vitit 2019.
Komisioni i Ligjeve ka nisur diskutimet me Prokurorinë e Përgjithshme, që ka kërkuar rritje fondesh për personel prej 200 personash, të cilën zoti Fino e ka cilësuar kërkesë luksi.
Zoti Fino ka thënë që një kërkesë e tillë është sikur ta krijosh nga fillimi institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme, ndërkohë që Ministria e Financave ka aprovuar një shtesë për 50 persona. Më pas, u dakordësua që shtesa të jetë 60 persona.
Edhe Shkolla e Magjistraturës paraqiti një kërkesë që ngjalli diskutim, pasi kryetari i saj kërkoi fonde për një makinë të re dhe kjo gjë e acaroi zotin Fino, i cili tha se Shkolla e Magjistraturës është institucioni me rritjen më të ndjeshme në buxhet dhe kjo rritje mjafton.
Edhe Gjykata Kushtetuese paraqiti kërkesë për një fond prej 10 milionë lekësh të reja për rikonstruksionin e ambienteve të saj.
Në fund, Presidenca nuk kishte asnjë kërkesë.
Top Channel