Sapo përfundoi seanca e Kuvendit ku Edi Rama tha se i ishte forcuar bindja se Sandër Lleshi do e bënte mirë detyrën, është mbledhur qeveria.

Sandër Lleshi është emëruar zv/ministër i Brendshëm. Kryeministri Rama nuk u mjaftua vetëm me foto në zyrën e tij. Ai e shoqëroi të zgjedhurin e tij për Ministrinë e Brendshme deri në zyrë.

Ndërkohë që Garda merrte masa për pritjen e personaliteteve, befasi u duk edhe prezenca e ish-ministrit të Brendshëm të dorëhequr nga detyra, Fatmir Xhafaj.

Më herët, me shpejtësi shkallët e ministrisë i ngjiti edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Në prezantimin kortezial ishin të pranishëm edhe 4 zv/ministrat dhe Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë.

Pas 30 minutash takim me dyer të mbyllura, kryeministri Rama nuk doli prej andej me atë që hyri. Në dalje, kreu i qeverisë shoqërohej nga ish-ministri Xhafaj, ndërsa për mediat nuk pati asnjë koment.

Sipas burimeve, pas këtij takimi gjenerali Lleshi ka urdhëruar edhe një mbledhje me drejtorët e policive në qarqe, ku pritet të prezantojë edhe objektivat e tij. Me emërimin e Lleshit si zv/ministër, Ministria e Brendshme është e vetmja me 5 zv/ministra në organikën e saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA