Interi do të presë Barcelonën mbrëmjen e sotme në “San Siro”, në sfidën e vlefshme për fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, ndërsa tifozëria zikaltër është sërish ajo që nuk zhgënjen në të tilla raste.

Kështu sipas njoftimit të klubit nga Milano, janë shitur të gjitha biletat e vëna në dispozicion të tifozëve për këtë takim, pra rreth 78 mijë të tilla, aq sa është kapaciteti maksimal i “San Siro-s” aktualisht.

Natyrisht që mbushja plot e stadiumit nuk përbën më lajm në rastin e Interit, por klubi zikaltër mund të “fërkojë duart” këtë herë, pasi ka arritur të arkëtojë plot 5.8 milionë euro nga shitja e biletave.

Ky është një rekord absolut dhe historik për skuadrat italiane, pasi askush më parë nuk ka arritur të arkëtojë një shifër të tillë, nga biletat e një takimi të vetëm. Kujtojmë që vitin e kaluar Roma kishte arritur të arkëtojë 5.6 milionë euro, para ndeshjes gjysmëfinale me Liverpoolin.

Top Channel