Vetëm në politikë mund të ndodhë që e njëjta provë mund të përdoret si nga pala akuzuese, ashtu edhe nga ajo e akuzuar, për të arritur qëllime të ndryshme në një proces gjyqësor.
Kështu ka ndodhur në procesin gjyqësor që deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka hapur për akuzën e shpifjes ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Deklaratat e këtij të fundit në qershor të këtij viti në lidhje me disa miliona euro që po futeshin në vend me disa mjete Toyota, është dorëzuar si provë nga Taulant Balla ndaj Lulzim Bashës, por po e njëjta provë është përdorur në seancën e së martës edhe nga Basha për të rrëzuar padinë e Ballës.
Një nga pikat e mbrojtjes së kryetarit të PD-së ndaj Ballës është fakti që deklarata e dhënë në Parlament për disa miliona euro të ardhura me Toyota Jaris rezultoi i vërtetë dhe se për këtë rast prokuroria ka nisur hetimet dhe ende nuk ka një konklzuion të këtyre hetimeve.
Sipas përfaqësuesve ligjorë të kryedemokratit Basha, deklarata në Kuvend nuk iu drejtua me emër Taulant Ballës, por u bë për të denoncuar një aferë korruptive ku segmente të lidhura me shtetin po bëheshin garant të një aktiviteti kriminal.
Avokatët e Bashës nuk kanë pranuar të jepnin burimin se nga e kishin marrë paraprakisht informacionin për Toyota-t me miliona euro që u kapën në Durrës, por deklaruan se është një burim i besueshëm. Në seancën e kësaj të marte, as Basha dhe as Balla nuk u paraqitën vetë në gjykatë, duke u përfaqësuar me avokatët e tyre, ndërsa gjykata i dha dy javë kohë avokatit të Ballës për t’u shprehur në lidhje me mbrojtjen e palës së paditur.
Top Channel