Inter-Barcelona është sfida që ka tërhequr më shumë vëmendjen, në ndeshjet që do të luhen mbrëmjen e kësaj të marte për raundin e katërt të fazës së grupeve në Champions League.

Trajneri i skuadrës katalanase, Ernesto Valverde i ka marrë të gjithë futbollistët me vete, përfshi edhe Lionel Messin, që me shumë gjasa do ta nisë ndeshjen nga stoli, pavarësisht lejes që do të marrë nga stafi mjekësor për të luajtur.

Barcelonës i mjafton edhe barazimi me zikaltrit për t’u kualifikuar, ndërsa në rast fitoreje siguron matematikisht edhe vendin e parë në grup. Edhe Interi luan për dy rezultate, por në rastin e zikaltërve, vëmendja është fokusuar edhe tek ajo që do të ndodhë në sfidën mes Tottenhamit e PSV Eindhoven.

Ndërkohë, sfida mes Interit e Barcelonës e ka vendosur një rekord të ri për një skuadër italiane, duke arkëtuar plot 5.8 milionë euro nga shitja e 78 mijë biletave.

Në “San Paolo” do të luhet gjithashtu sfida mes Napolit dhe Paris Saint-Germainit. Për francezët do të jetë në fushën e lojës Buffon, që e kreu dënimin për atë që ndodhi në sfidën mes Realit e Juventusit sezonin e kaluar. Te Napoli, sulmi do të formohet nga Mertens e Insigne, kurse në mesfushë ka një balotazh mes Zielinskit dhe Ruizit.

Liverpooli shkon në Beograd për sfidën me Yllin e Kuq (Crvena zvezda) pa Xherdan Shaqirin, që është lënë jashtë skuadre për të evituar ndonjë incident që mund të ndodhte nga prania e tij. Kjo e sotmja do të jetë përballja e 4-t mes Yllit të Kuq dhe Liverpoolit, me skuadrën serbe që ka një bilanc më të mirë, me dy fitore kundrejt një të “The Reds”.

Ndërkohë, Atletico Madrid pret Borussian e Dortmundit. Skuadra gjermane siguron vendin e parë në grup me një fitore, ndërsa ajo spanjolle do të kërkojë që të hakmerret për humbjen 4-0 të pësuar përpara dy javësh në Gjermani.

Top Channel