Policia e Shtetit informoi për operacionin e gjerë policor për parandalimin e ngjarjeve kriminale, ndëshkimin e autorëve të veprave penale, dhe kontrollin e plotë të territorit, përmes operacionit të koduar “Ndëshkimi i të fortëve”.
Drejtoritë Vendore të Policisë, Forcat Operacionale në DPPSH, FNSH, e posaçërisht forcat “RENEA” janë angazhuar gjerësisht në territor në realizimin e detyrave të përcaktuara në këtë Plan operacion policor, tha drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike, në Policinë e Shtetit, Gjovalin Loka.
Sipas tij, brenda kësaj jave janë arrestuar 54 persona, të identifikuar me precedentë kriminalë apo si prishës të rendit, të konsideruar si “Të fortë’, arrestimi i tyre është bërë për armëmbajtje pa leje apo se janë në kërkim kombëtar e ndërkombëtar.
Konkretisht:
– 12 persona të arrestuar, me precedentë penalë;
– 19 persona të shpallur në kërkim kombëtar apo ndërkombëtar;
– 18 të arrestuar, si prishës të rendit.
– 5 të arrestuar për akuzën e “armëmbajtjes pa leje”
Ndër provat e sekuestruara gjatë kontrolleve të ushtruara gjatë javës që lamë pas në akset rrugore, banesa, lokale janë sekuestruar:
– 8 armë zjarri;
– rreth 3.6 kg Kokainë e Heroinë;
– rreth 110 kg Cannabis.
Kështu dje në Kurbin, në vijim të Forcës së Ligjit në Territor, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, kanë finalizuar me sukses operacionin “Gjorm” ku si rezultat është sekuestruar 96 kg Cannabis dhe është prangosur poseduesi i saj, A.T., 46 vjeç.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare në Morinë kanë bërë ndalimin e një shtetasi kosovar nga Istogu të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Viena, Austri. Ai është S.D., 61 vjeç, banues në Istog, Kosovë.
Gjatë veprimit të Forcës së Ligjit në Territor në kuadrin e operacionit policor “Ndëshkimi i të fortëve” nga strukturat vendore të Policisë, që prej datës 20 Shtator kur kanë nisur kontrollet, në total janë arrestuar rreth 390 persona në kontrollet proaktive në territor:
Ndër provat e sekuestruara gjatë kontrolleve të ushtruara ndaj tyre në akset rrugore, banesa, lokale etj., janë sekuestruar 57 armë zjarri të llojeve të ndryshme, mina me telekomandë, tritol e municion luftarak.
Top Channel