BIRN ka publikuar se vetting-u i gjyqtarëve anashkaloi provat që lidhin gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Apelit, Artur Malaj, me akuzat për korrupsion dhe për pronësinë e një vile.

Pranë gjimnazit “Halim Xhelo” në lagjen “Kushtrimi” të Vlorës, aty ka ka qenë një bunker që banorët e zonës i thonin “tuneli”, sot është një vilë 3-katëshe me dyer automatike, perde persiane dhe gardh të hekurt. Sipas Ervin Cetës, fëmijët dikur luanin futboll, por tani aty është kjo banesë që rri bosh dhe që vizitohet nga pronari i saj vetëm disa ditë gjatë verës, pasi ai që e ka jeton në Tiranë.

Sipas banorëve të “Kushtrimit”, në këtë vilë jetonte Artur Malaj, për shumë vite kreu i Gjykatës së Vlorës dhe që nga viti 2013 punon në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë. BIRN ka mbledhur dokumente dhe dëshmi që tregojnë se kjo vilë i përket Malajt, edhe pse është regjistruar në emrin e ish-sekretares së tij. Por, këta tregues të shumtë se vila është aset i gjyqtarit janë injoruar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), që në datën 3 gusht e konfirmoi në detyrë gjyqtarin.

Por, sipas BIRN-it, vila nuk është aseti i vetëm që ngre pikëpyetje mbi integritetin e gjyqtarit. Familjarët e tij zotërojnë mijëra metra katrorë tokë dhe disa apartamente, disa të fituara nga individë me të kaluar kriminale. Gjithashtu, BIRN shton se dokumentet që ka marrë në zotërim tregojnë se ka pasur ndaj këtij gjyqtari akuza të shumta për korrupsion dhe abuzim me detyrën.

BIRN shkruan se analiza që ka bërë mbi deklarimin e Malajt tregon se familja e gjyqtarit ka rritur pasurinë e saj me 47 herë nga viti 2003 deri në vitin 2017, më së shumti nga të ardhurat e gruas së tij si notere. Vila 3-katëshe nuk është deklaruar. Banorët e zonës thanë për BIRN-in se familja Malaj erdhi në lagjen “Kushtrimi” në fillim të viteve ’90 nga fshati Llakatund. Fillimisht, ndërtuan në mënyrë të paligjshme një shtëpi, në vend të së cilës sot është vila 3-katëshe.

Malaj ka thënë në një intervistë telefonike për BIRN-in se e ka deklaruar vilën në Vlorë si adresën e tij të banimit pasi nuk kishte adresë për momentin, por nuk ka thënë se ku jetonte faktikisht. “Ia kam shpjeguar autoritetit përkatës se ku jetoja”, këmbënguli Malaj.

Por, BIRN thekson se banorët e zonës kanë thënë që gjyqtari ka jetuar aty së bashku me vëllanë dhe nënën e tij. Familja Dautaj, që është e regjistruar si pronare e vilës, nuk jeton fare në lagjen “Kushtrimi”. Ajo jeton në një apartament modest në rrugën “Veladin Kollozi”.

“Nga viti 2005 e deri në vitin 2013, kur Malaj ishte kreu i Gjykatës së Vlorës, Alma Dautaj punonte si sekretare në gjykatë. Në një intervistë të shkurtër për BIRN-in, Alma deklaroi se vila në lagjen “Kushtrimi” ishte e saj dhe se një ditë më parë kishte qenë në vilë. Kur u pyet se çfarë ngjyre kishte kuzhina, Alma e ndërpreu intervistën”, lexohet në shkrimin e BIRN-it.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA