Nëse do që fëmija yt të mos qëndrojë gjithë kohën para kompjuterit, apo telefonit mund ta orientosh drejt librit.
Tanimë kane nisur të aktivizohen bibliotekat e lagjeve. Më e fundit që është rikonstruktuar është biblioteka që ndodhet në njësinë numër 8 në Tiranë.
“Ka qenë prej kohësh një nga ambiciet tona që të kishim një strehë të tillë për librin në Njësinë 8. Në fakt, kur hyn dhe shikon fotot se si kanë dalë bibliotekat e reja, i ngjajnë shumë kafeve luksoze. Ndjej një entuziazëm shumë të madh kur mendoj se kemi ardhur te dita kur shteti, publiku, bashkia, qyteti, ofron të njëjtin luks për librin siç e ofron kapitalisti për atë që shkon pi kafe në një nga 10 mijë kafet e Tiranës”, u shpreh Veliaj.
Të rinjtë tanimë duket se kanë sfiduar mitin e vjetër se shokët do t’i paragjykojnë e t’i quajnë peshkop që shkon në bibliotekë, pasi ato po frekuentohen gjithnjë e më shumë.
“Fakti që sot dikush që lexon nuk konsiderohet më një specie në zhdukje, i cili duhet të futet në një skutë të errët, me lagështi, por po i rezervojmë librit, në kuptimin e mirë të fjalës, vanitetin që shoqëria jonë sot e kazino-kapitalistit ia rezervon industrive të tjera, them se është një fitore e kulturës mbi antikulturën. Sot më vjen mirë sepse kemi bërë një fitore të vogël, një hapësirë dikur komplet të degraduar e kemi shndërruar në një nga bibliotekat më të bukura e më të mira në zemër të Tiranës”, shton Veliaj.
Biblioteka e njësisë numër 8 mban emrin “Hamit Beqaj” dhe kryetari i bashkisë u bën thirrje të gjithëve të dhurojnë libra për bibliotekat e lagjeve për t’i pasuruar sa më shume ato, por nga ana tjetër u kërkon frekuentuesve t’i mirëmbajnë dhe mos t’i shkatërrojnë ato.
Top Channel