Me sloganin “Jeta mbi të gjitha”, studentët e universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit protestuan mesditën e së premtes kundër ndotjes që shkakton vendgrumbullimi i mbetjeve urbane në Porto Romano dhe cenimit të së drejtës për të jetuar.

Studentët paralajmëruan se do të bojkotojnë auditoret, pasi para dijes zgjedhin shëndetin dhe jetën e rrezikuar nga djegia e mbetjeve dhe tymi toksik që çlirohet prej tyre.

“Kemi vendosur të protestojmë për një problem jetik me të cilin qyteti i Durrësit bashkëjeton prej vitesh. Ky vendgrumbullim është në kundërshtim me të gjitha standardet e kuadrit ligjor në fushën e menaxhimit të mbetjeve urbane. Mungesa e kushteve minimale në vendgrumbullim përkeqësohet nga djegia e paligjshme e tyre.Kjo situatë rrezikon jo më pak se 20 mijë jetë studentësh dhe mijëra jetë të tjera banorësh në zonat përreth”,

Studentët e Fakultetit të Shkencave Juridiko-Politike të Durrësit u kujtuan pushtetarëve lokalë dhe qendrorë se nuk mund të shkelin të drejtën e tyre për të jetuar, të drejtë që e kanë fituar që në lindje dhe se nuk ka gjë më të shtrenjtë se jeta, e ajo nuk ka lidhje me politikën, as me premtime pushtetarësh. Të rinjtë protestues bënë thirrje për marrjen e masave urgjente nga ana e qeverisë dhe bashkisë për ndërprerjen e menjëhershme të plehrave në zonë dhe fillimin e shpejtë të rehabilitimit të saj.

Studentët janë mbështetur jo vetëm nga pedagogët e tyre, por edhe nga banorët e zonës dhe qytetarë durrsakë, të cilët i janë bashkuar protestës që pritet të përshkallëzohet në javët e ardhshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA