Interi do të presë nesër në mesditë Genoan, në sfidën e vlefshme për javën e 11 të kampionatit italian të futbollit, ndërsa synimi i skuadrës zikaltër është të ruajë ecurinë pozitive me 6 fitore radhazi në kampionat.

Gjithsesi, përveç sfidës së të shtunës, Luciano Spalletti do të duhet të bëjë llogaritë edhe me takimi e të martës për Champions League, kur në “San Siro” do të vijë Barcelona dhe zikaltrit do të kërkojnë të paktën një pikë, për të rritur shpresat për një kualifikim të mundshëm.

Pikërisht për këtë arsye, tekniku i Interit po planifikon të lërë në stol një pjesë të mirë të titullarëve, për t’u dhënë mundësi të çlodhen para përballjes së të martës në mbrëmje, me katalanët e Ernesto Valverdes, që vijnë në një formë të shkëlqyer.

Kështu është thuajse e sigurt që Icardi do të rrijë në stol dhe në vend të tij do të luajë sulmuesi tjetër argjentinas, Lautaro Martinez, ndërsa pushim pritet të rijë edhe ganezi Asamoah, për t’i bërë vend brazilianit Dalbert.

Momenti për t’u çlodhur duket se është edhe për sulmuesit anësorë, Politano-Perisiç, të cilët pritet të zëvendësohen nga ish lacialët, Candreva-Keita Balde, ndërsa në mesfushë mund të ketë vend sërish për Joao Marion nga minuta e parë, për të formuar treshen me Borja valeron dhe Gagliardinin.

Titullar pritet të rikthehet edhe holandezi De Vrij, ndërsa kroati Vrsaljko do të rrijë në stol, pasi pritet të luajë nga fillimi sfidën ndaj katalanëve, ku pritet të rikthehet edhe fantazisti belg, Radja Nainggolan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA