Aventura e Usain Bolt me skuadrën e “A League” në Australi, Central Coast Mariners, ka përfunduar.

Ish-sprinteri, fitues i 8 medaljeve të arta olimpike dhe rekordmeni botëror në 100 dhe 200 metra, nuk arriti dot të gjejë një marrëveshje në aspektin ekonomik me skuadrën, duke bërë që të përfundojë edhe koha e stërvitjes së tij me këtë klub, që ishte për një kohë të pacaktuar.

Mësohet se Mariners i ofruan Bolt një kontratë me pagë 150 mijë dollarë australianë, si dhe mundësinë për të rritur këtë shifër nga bashkëpunimi me sponsorë të jashtëm, por Bolt e refuzoi ofertën dhe kjo solli edhe ndërprerjen e bashkëpunimit mes palëve.

Por, një derë mbyllet e një tjetër hapet për Bolt. Xhamajkani duket se e ka ende një mundësi për të realizuar ëndrrën e tij për t’u bërë futbollist në vendin e tij.

Federata xhamajkane e Futbollit, nëpërmjet presidentit të saj bëri të ditur se ekziston mundësia që Bolt të grumbullohet në kombëtare.

“Do të na pëlqente të shihnim Bolt në një ndeshje zyrtare, do të tërhiqte tifozët”, tha Michael Ricketss për ESPN. “Ai është shumë i shpejtë dhe nëse arrin një nivel të caktuar në aspektin teknik në futboll, mund të bëhet pjesë e përfaqësueses xhamajkane. Edhe vet lojtarët do të jenë të lumtur ta kenë atë mes tyre”.

Top Channel