Në tre vitet e fundit, mediat britanike më kanë telefonuar shpesh për të pyetur nëse Merkel kishte marrë më në fund një goditje që do ta rrëzonte përfundimisht. Dhe unë u thosha gjithnjë që ka rënë, por ende s’është jashtë loje. Tani është jashtë loje. Krerët e partisë e detyruan të shpallë që s’do të kandidojë më si kryetare e CDU-së. Por do të vazhdojë të jetë kancelare. Si tani, një vit më vonë, do ta ketë mbaruar edhe atë detyrë.

Zgjedhjet në Hesse ishin pika që mbushi kupën. CDU humbi 11.7% të votave në një garë ku mbizotëronin debatet kombëtare. 50% e votuesve thanë se donin të dërgonin një mesazh proteste në Berlin. Mesazhi u mor. Merkelin po e largon partia e vet.

Por është vonë. Në zgjedhjet e shtatorit të vitit 2017, CDU e Merkelit dhe simotra bavareze, CDU, humbën 8.6% të votave në krahasim me 2013. Humbjet ishin të barabarta me votat që kishte fituar AfD. Shumë anëtarë të CDU kërkonin që partia t’i kthehej një profili më konservator, por Merkel bëri të kundërtën: u përpoq të mbledhë një koalicion të tipit “Xhamajka” me të Gjelbrit dhe me liberalët e FDP. Kur FDP u largua nga bisedimet, Merkel u detyrua të vazhdojë koalicionin me Social-Demokratët, gjë që nuk e donte asnjëra palë. Që nga ajo kohë, CDU/CSU dhe SPD kanë humbur vazhdimisht vota, ndërsa AfD arriti të marrë mandate në të gjashtëmbëdhjeta parlamentet, si dhe në Bundestag.

Tashmë që vendi sa vjen e zhvendoset djathtas, zgjidhja duket e thjeshtë: edhe CDU/CSU duhet të ndjekë rrymën. Por në zgjedhjet rajonale që u mbajtën në Bavari këtë muaj, CSU nuk pati sukses me këto përpjekje. Njerëzit që i braktisën për të djathtën ekstreme nuk do të rifitohen lehtë. Në anën tjetër, të rinjtë po votojnë për të gjelbrit, ndërsa AfD vazhdon të mbetet parti e të moshuarve të bardhë e zemërakë. Nëse CDU/CSU shkon aq djathtas sa të bëhet i pamundur një koalicion me të Gjelbrit, atëherë, kushdo që do ta pasojë Merkelin mund të gjendet në një situatë kur e vetmja zgjidhje do të jetë një aleancë me AfD.

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, ka vërtetuar se qeveritë mund të formohen edhe kështu. Partia e tij po qeveris me një parti të ekstremit të djathtë. Por Gjermania nuk është Austria. Me skepticizmin që ka AfD jo vetëm ndaj Euros, por edhe ndaj BE-së, NATO-s e globalizimit, një bllok i djathtë midis CDU dhe AfD do të vinte në rrezik gjithë aleancën perëndimore.

Merkel i është afruar Annegret Kramp Karrenbauer, (AKK, siç e quajnë admiruesit) si pasardhësen e saj. AKK vjen nga Saarland, një zonë midis Gjermanisë dhe Francës që prodhon zakonisht politikanë pro-Europës. Duke qenë katolike e të njëjtit besim me Papën Francesk, AKK kombinon konservatorizmin shoqëror me politikat liberale të emigrimit, por i qëndron edhe “mbrojtjes së idesë së krijimit”, e cila e ka lejuar të krijojë koalicionin e parë “Xhamajka” me FDP dhe të Gjelbrit kur ishte presidente e Saarland. AKK do të ishte një simbol vazhdimësie, por në CDU-në e post-Merkelit kjo nuk do të ishte gjë e mirë.

Friedrich Merz ishte një nga viktimat e para të ngritjes së Merkelit në pushtet, dhe ka 10 vite që e ushqen mërinë ndaj saj, ndërkohë që bën shumë para si avokat. Merz është i zgjuar dhe ka aftësi të mëdha retorike. Ai është konservator për sa i përket politikave fiskale, dhe figurë që mbështet rendin ligjor. Ai drejton Atlantik-Brucke, një grup i përbërë nga biznesmenë pro-amerikanë, politikanë dhe drejtues mediash. Në një farë mënyre, ai do ta kthente Gjermaninë në kohën e Helmit Kohlit, por kjo krijon edhe një ndjesi dezha-vy-je që shkon kundër tij.

Pastaj vjen Jens Spahn, i cili ndihmon CDU-në me votuesit e rinj të krahut të djathtë. Spahn është homoseksual dhe nacionalist, dhe ankohet shpesh për kafenetë e Berlinit ku nuk flitet gjermanisht, përçmon “shkatërrimin e shtetit” që sollën politikat e emigrimit të Merkelit, si dhe shan qëndrimet kundër personave homoseksualë, misogjininë dhe sjelljen antisemitiste që sipas tij sjellin emigrantët nga vendet arabe.

Si Ministër Shëndetësie me qeverinë e Merkelit ai ka dhënë rezultate pozitive për kujdesin ndaj të moshuarve, por është afruar shumë me Kurz, të cilin e sheh si model. Nëse Spah vjen në krye e bëhet kancelar, Gjermania do të shtyhej edhe më shumë drejt nacionalizmit. Europa pas-Brexit nuk pritet të ketë lajme të mira.

The Guardian

FOTO GALERI
2/3
Pastaj vjen Jens Spahn, i cili ndihmon CDU-në me votuesit e rinj të krahut të djathtë. Spahn është homoseksual dhe nacionalist, dhe ankohet shpesh për kafenetë e Berlinit ku nuk flitet gjermanisht, përçmon “shkatërrimin e shtetit” që sollën politikat e emigrimit të Merkelit, si dhe shan qëndrimet kundër personave homoseksualë, misogjininë dhe sjelljen antisemitiste që sipas tij sjellin emigrantët nga vendet arabe. Ai është afruar shumë me Kurz, të cilin e sheh si model. Nëse Spah vjen në krye e bëhet kancelar, Gjermania do të shtyhej edhe më shumë drejt nacionalizmit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA