Manchester City vijon rrugëtimin e tij në çerekfinale të Kupës së Ligës në Angli. Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola eliminoi në 1/8-at e finaleve Fulhamin, teksa e mposhti me rezultatin 2-0.

Ai që spikati në këtë ndeshje për kampionët në fuqi të Premier League ishte Diaz, autor i të dy golave për Manchester Cityn në këtë përballje, të parët për të me fanellën e kësaj skuadre.

“Citizens” pritën vetëm 18 minuta për të zhbllokuar rezultatin. Diaz, i ndihmuar edhe nga një devijim i Mitroviç, arriti të dërgojë topin në rrjetë për t’i dhënë avantazhin 1-0 skuadrës së tij.

Pas këtij goli, në fushën e lojës ekzistonte vetëm Manchester City, që pati mundësi të tjera për të dyfishuar shifrat me Gabriel Jesus apo Sane, por goli i dytë u shënua në pjesën e dytë sërish nga Diaz, pas një topi të kthyer nga përplasja në shtyllë, pas gjuajtjes së Gabriel Jesus.

Në çerekfinalet e Kupës së Ligës, Manchester City do të përballet me fituesin e sfidës Leicester-Southampton, që do të luhet më 27 nëntor.

Top Channel