Qëndrimi i fundit i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe pikëpyetjet rreth pasardhësit të Fatmir Xhafajt të dorëhequr nga ky dikaster ka qenë tema e ditës në “Top Talk”, ku i ftuar ka qenë analisti Shpëtim Nazarko.
Duke i cilësuar si të pakuptimta akuzat e ngritura prej më tepër se një vit ndaj ish-ministrit të Brendshëm Tahiri, analisti Shpëtim Nazarko, i cilësoi po aq të pakuptimta edhe pretendimet e Tahirit për një plan të gjerë për ta futur në burg.
Por sipas tij, dalja sot e tij ka një të drejtë morale nga ana njerëzore, pas ka mbi 1 vit që akuzohet për përfshirje në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, e vendimi i Gjykatës italiane e shpall të pafajshëm.
Në lidhje me zgjatjen e hetimeve nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për Nazarkon duket paksa e paqartë, pasi baza e akuzës së Prokurorisë varen nga hetimet në Itali. Por sipas tij, Prokuroria mund të jetë ende duke mbledhur fakte të reja.
Në studion e Top Talk, Nazarko ka folur edhe për situatën në Ministrinë e Brendshme, pas dorëheqjes së Xhafajt, e mos pranimit ende të propozimit të Ramës për ministër të Brendshëm, Sandër Lleshin.
“Njeriu për të cilin flitet që do të jetë Ministër i Brendshëm është gjeneral, është liruar si ushtarak, e tashmë ka gjithë të drejtën të jetë ministër. Presidenti ka për ta dekretuar, s’ka arsye tjetër. Mbetet shpresa që Sandër Lleshi, si një person që ka rreptësinë e ushtarakut, ta karakterizojë disiplina e ushtarakut edhe në punën e tij”, u shpreh Nazarko.
Top Channel