Tabaku: Baxhanaku i Ramës, pjesë e skemës mafioze për monopolin e kontrollit të faturimit të biznesit

31/10/2018 11:55

Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike, ka deklaruar se, “baxhanaku i Edi Ramës, Armando Frangu, është pjesë e skemës mafioze për të nxjerrë fituese kompaninë kroate të monopolit të kontrollit online të faturimit të biznesit”.

“Kompania e baxhanakut të Edi Ramës ka marrë pjesë në tender pa bërë asnjë ofertë, por për të legjitimuar procesin”, u shpreh Tabaku.

“Tenderi që i jep një kompanie kroate monopolin e kontrollit online të faturës tatimore për çdo shitje nga biznesi është një nga tenderat haptazi korruptiv të qeverisë Rama. Partia Demokratike denoncoi 5 javë më parë se kriteret e vendosura ishin përcaktuar për të nxjerrë fituese kompaninë kroate. Por, nuk janë vetëm kriteret e paracaktuara të tenderit që e bëjnë atë korruptiv pasi faktet provojnë manipulimin e kësaj gare. Dokumentat e bërë publik që unë po prezantoj sot këtu tregojnë se në tenderin fasadë prej 15 milionë eurosh kanë marrë pjesë 3 garues. Dy prej tyre kanë qenë aty në garë për të legjitimuar skemën korruptive. Bashkëpunëtor në këtë skemë është edhe Armando Frangu, baxhanaku i kryeministrit Edi Rama. Përmes kompanisë së tij B360, ai nuk ka dhënë asnjë ofertë në garën fallco për të legjitimuar fitoren e kompanisë kroate të tenderit korruptiv prej 15 milionë dollarësh”, u shpreh deputetja demokrate.

“Partia Demokratike ka denoncuar edhe më herët se është kjo kompania e baxhanakut të Edi Ramës që merr pjesë si garuese farsë për të mbuluar tenderat e dhënë nga qeveria ish ortakut të tij. Jo pak, por 15.6 milionë euro tendera i ka dhënë qeveria e Edi Ramës baxhanakut të Edi Ramës nëpërmjet ortakut të baxhanakut. Fiktiviteti në garë me ofertues farsë dhe me baxhanakun e Edi Ramës që përdoret për fasadë nga kroatët e Edi Ramës e provoi të drejtë denoncimin e 5 javëve më parë të Partisë Demokratike. Partia Demokratike siguron opinionin publik që do t’i shkojë në fund kësaj afere korruptive, duke zbuluar skemën mafioze sesi kompania kroate u bë fituese e tenderit që do t’i kushtojë çdo biznesi 600 deri në 1000 euro”, shtoi Tabaku.

Partia Demokratike i siguron shqiptarët se me paketën antimafia, askush nuk do të gëzojë asgjë të fituar nëpërmjet korrupsionit dhe lidhjeve me pushtetin. Me paketën antimafia, çdo tender si ky i sotmi, çdo koncesion, leje apo liçensë korruptive do të anullohet, pasuritë do të sekuestrohen dhe parat do t’u kthehen atje ku e kanë vendin: në shërbim të qytetarëve – për arsim më të mirë, për spitale më të mira, për rrugë më të mira për vende punë më shumë.

Top Channel