Ekspertiza e thelluar e Kacifas. Caktohet grupi me 4 mjeko-ligjorë, nuk do të ketë asnjë grek

31/10/2018 14:48

4 ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore janë përfshirë në ekspertizën që po zhvillohet për vrasjen e Konstandinos Kacifas, 35 vjeç. Por, ndërkohë ekspertët janë në pritje edhe të pyetjeve dhe rezervave të familjarëve të viktimës.

Është qëlluar apo jo nga afër nga forcat RENEA Konstandinos Kacifa? Kjo është pyetja e parë të cilës ekspertët e mjekësisë qendrore do t’i japin përgjigjje përfundimtare, një konkluzion që do t’i bashkangjitet kartelës së vdekjes, por edhe fashikullit hetimor të Krimeve të Rënda.

E gjithë kjo procedurë po zhvillohet për shkak të pretendimeve të familjarëve të Konstandinos Kacifas, pavarësisht se menjëherë pas vrasjes së tij gjatë shkëmbimit me armë zjarri me policinë, reparti RENEA i ka dorëzuar prokurorisë të gjithë procedurën se si u zhvillua aksioni.

Në raport-shërbim thuhet se Kacifa ka qëlluar me armën automatik përgjatë dy orëve operacion, duke rrezikuar jetën e oficerëve dhe gjatë shkëmbimit me armë zjarri ai është qëlluar nga policia nga një distancë e konsiderueshme. Por, tashmë që trupi i tij është sjellë në morgun e Tiranës, nëse të afërmit e Kostandinos Kacifas kanë pretendime apo pyetje shtesë, ata mund t’i dorëzojnë materialet pranë mjekësisë ligjore ose personalisht ose përmes një avokati, tha për Top Channel një nga zyrtarët e mjekësisë ligjore.

Në grupin e mjekëve ligjorë shqiptarë nuk ka asnjë ekspert të huaj, jo vetëm sepse nuk ka një kërkesë të tillë zyrtare pranë organeve të hetimit, por edhe sepse ligji nuk e lejon diçka të tillë. Aktualisht, ekspertët e mjekësisë ligjore po vlerësojnë edhe të dhënat e domosdoshme për një ekspertizë të dërguar nga ekspertët e kriminalistikës pas kqyrjes së kufomës në Gjirokastër. Një procedurë ekzaminimi zgjat 3 deri në 4 javë, por grupi i ekspertëve parashikon ta përfundojë procesin brenda 10 ditëve.

Top Channel