Kuvendi nisi zyrtarisht procedurën për zëvendësimin e 3 anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, të cilëve u mbaron mandati: Dhori Kule, Arben Malaj dhe Ela Golemi.
Në Komisionin e Ekonomisë dhe në prani të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit u prezatuan me radhë 15 kandidatë. Mes tyre profesorë ekononie, drejtësie, ish-drejtues dikasteresh, një pjesë e të cilëve kanë qenë edhe më parë anëtarë të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë në vite të ndryshme.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit, kandidaturat që do t’i propozohen Kuvendit për miratim duhet të mbështeten nga firmat e deputetëve.
Genc Gjonçaj, Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit, tha: “Kërkohet mbështetja e 28 deputetëve, për të vazhduar më tej me Komisionin e Ekonomisë e më pas në seancën plenare”.
Edhe qeveria duhet të sjellë 3 kandidatura që duhet të zëvendësojnë 3 anëtarë të tjerë të Këshillit Mbikqyrës, përkatësisht Elisabeta Gjonin, Petraq Milon dhe Denada Priftin. Zëvendësimi i 6 anëtarëve nga 9 që ka Këshilli Mbikqyrës, ndërron në një farë mënyre balancat politike në Bankën e Shqipërisë.
Përveç Arben Malajt, i cili ishte propozim i PS-së, të 5 anëtarët e tjerë të cilëve u mbaron mandati, kanë qenë kandidatura të koalicionit PD-LSI. Ata vinin si propozime të qeverisë “Berisha” apo grupeve parlamentare të mazhorancës së atëhershme.
Ndërkohë, dy anëtarë të tjerë të këshillit janë zgjedhur nga mazhoranca e majtë pas vitit 2015 si propozime të grupit parlamentar socialist, kurse anëtari tjetër, guvernatori Sejko ishte propozim i vetë këshillit mbikqyrës.
Nga praktikat e mëparshme, disa prej kandidaturave i janë lënë opozitës, por në këtë pikë është e paqartë sa propozime do të pranohen nga Partia Demokratike. Kjo e fundit nuk ka vendosur se çfarë qëndrimi do të mbajë për këtë çështje në kushtet kur dhe ka bojkotuar Kuvendin. Burime pranë kampit blu bëjnë me dije se teorikisht duhet të jenë dy mandate që i takojnë Partisë Demokratike, por sinjalet nga mazhoranca janë se do të pranohet vetëm një propozim nga opozita, gjithmonë nëse ajo do të bëhet pjesë e procesit.
Pavarësisht se si do të jenë zhvillimet, një gjë është e sigurtë: se shumica në këshillin e ri mbikqyrës do të dominohet nga kandidatura e ardhura nga mazhoranca socialiste.
Kandidatët që kanë aplikuar në Kuvend:
1- Vjollca Braho
2- Bardhyl Ceku
3- Leontijev Çuçi
4- Sulo Hadëri
5- Artan Hoxha
6- Altin Hoti
7- Oljan Kanushi
8- Genc Koxhaj
9- Arben Malaj
10- Visar Malaj
11- Luljeta Minxhozi
12- Ergys Misha
13- Nikollaq Pano
14- Drini Salko
15- Arben Xibri.
Top Channel