Rruga Tiranë-Durres do jepet me koncesion dhe do behet me pagese dhe qeveria konfirmon se ka marre nje propozim nga nje kompani private e cila po analizohet nga ministria e infrastruktures. Kjo rruge ka nje fluks prej 50 mije mjetesh ne dite. Kompania do zgjeroje rrugen edhe me dy korsi te reja dhe do e mirembaje per tre dekada. Cmimi i kalimit ne rruge nuk eshte vendosur.
Plani i qeverisë për të dhënë me koncesion autostradën Tiranë-Durrës është në një fazë të avancuar. Ministria e energjisë pranoi se për aksin me qarkullimin më të madh në Shqipëri ekziston një propozim i pa kërkuar nga një kompani private për ta marrë rrugën me koncesion.
Dhënia me koncesion e kësaj rruge nuk është pjesë e paketës 1 miliardë euro. Si e tillë ajo nuk do të paguhet nga buxheti i shtetit, por direkt nga qytetarët përmes tarifës së kalimit. Sipas propozimit, një kompani private merr përsipër të investojë 49.1 miliardë lekë ose mbi 330 milionë euro, të cilat do i marrë mbrapsht nga tarifa e kalimit. Vetë ministria sqaroi se nëse propozimi do të miratohet, paralelisht do të ketë edhe rrugë dytësore nga Tirana në Durrës, ku qytetarët mund të kalojnë pa pagesë.
Sipas planit paraprak, kompania private do e zgjerojë rrugën me dy korsi shtesë dhe do të ketë të drejtën e koncesionit, përfshirë mirëmbajtjen për një afat që varion nga 30 deri në 35 vjet. Gjatë kësaj kohe kalimi në rrugë do të jetë me pagesë, ndërkohë që tarifa ende nuk bëhet e ditur se sa do të jetë.
Tiranë-Durrës është rruga më e rëndësishme e Shqipërisë, me një qarkullim ditor që në periudhë piku arrin deri në 50 mijë mjete. Ajo lidh portin kryesor të vendit, atë të Durrësi me tregun më të madh, Tiranën. Qytetarët shqiptarë paguajnë aktualisht 180 milionë euro në vit taksë qarkullimi, të cilën qeveria e mbledh tek çmimi i karburanteve. Bërja e kalimit në rrugët kryesore të vendit me pagesë është cilësuar nga shumë ekspertë si një taksim i dyfishtë, por edhe I padrejtë pasi detyron qytetarët të paguajnë dy herë për të qarkulluar në akset kryesore të vendit.
Top Channel