“5 javë më parë, ishim në të njëjtën sallë për të paralajmëruar se qeveria e Edi Ramës e kishte paracaktuar fituesin kroat të tenderit korruptiv që vendos monopolin e kontrollit të faturimit mbi biznesin”, deklaroi deputetja e PD, Jorida Tabaku në një deklaratë të përbashkët me deputetin Endri Hasa. Sipas Partisë Demokratike, monopoli korruptiv i Edi Ramës hedh në kosh 140 mijë kasat fiskale ekzistuese dhe detyrohen bizneset të paguajnë të paktën 600 deri në 1000 Euro për sistemin e ri që do të kërkojnë kroatët e Edi Ramës.

“Kriteret e tenderit janë korruptive, sepse, siç paralajmëruam 5 javë më parë, ato ishin ishin llogaritur për t’iu përshtatur kompanisë kroate”, u shpreh Tabaku, duke bërë me dije se PD po merr ndërkohë informacionin e nevojshëm se kush qëndron prapa kësaj kompanie.

“Tenderi prej 15 milionë eurosh që iu dhurua një kompanie kroate në kushte tërësisht të mistershme, është provë se korrupsioni në qeverinë Rama ka rrënjë të thella. Tenderi korruptiv me fitues të paracaktuar është vazhdimi i skandalit të zbuluar 3 vjet më parë nga opozita, që e detyroi Edi Ramën të heqë dorë përkohësisht nga dhënia me koncesion e monitoimit dhe mbledhjes së TVSH-së një kompanie kineze offshore e lidhur me të vëllanë, Olsi Rama. Tek ky tender korruptiv, që vendos monopolin e kontrollit të faturimeve të biznesit, qyterarët po shohin kalbëzimin e qeverisë së Edi Ramës. Kjo qeveri jo vetëm ka pafytyrësinë t’i shkojë deri në fund një tenderi të denoncuar si korruptiv, por po shet Shqipërinë me copa tek klientë që kanë mbajtur në këmbë pushtetin e inkriminuar dhe të korruptuar të Edi Ramës”. shtoi ndër të tjera Tabaku.

Ndërkohë deputeti Endri Hasa theksoi se kostoja prej 15 milionë eurosh nuk është fatura e vetme që do të paguajnë shqiptarët nga tenderi korruptiv i paralajmëruar 5 javë më parë nga Partia Demokratike.

“15 milionë Eurot janë vetëm maja e ajsbergut, sepse sistemi i monitorimit dhe faturimit të biznesit fsheh kosto të tjera të rënda. Ne kemi llogaritur se kostot e sistemit të ri për menaxhimin dhe kontrollin e faturimit do t’u kushtojnë shqiptarëve të paktën dhe 80 deri në 100 milionë euro të tjera. Monopoli që vulosi qeveria, me një faturë skandaloze për bzineset, 80-100 milionë euro, detyron çdo biznes që të heqë kasat dhe sistemet elektronike që ka sot, për të blerë pajisje te reja fiskale, që do të punojnë sipas kërkesave që do të përcaktojnë kroatëve, kur të ndërtojnë sistemin e ri”, u shpreh ai.

Sipas tij, monopoli korruptiv i Edi Ramës do të hedhë në kosh 140 mijë kasat fiskale ekzistuese dhe çdo biznes do të detyrohet të paguajë të paktën 600 deri në 1000 Euro për sistemin e ri që do të kërkojnë kroatët e Edi Ramës, në mënyrë që biznesi të mos i mbyllet.

Top Channel