Pas katër seancash të dështuara dhe natyrisht nën masa të rrepta sigurie, më në fund avokatët mbrojtës në procesin kundër Emiljano Shullazit dhe të bashkëpandehurve të tjerë, kanë nisur të paraqesin në gjykatë konkluzionet përfundimtare në mbrojtje të klientëve të tyre.

Në seancën e së martës asnjë nga të pandehurit nuk u paraqit në sallën e gjyqit, ndërsa avokati i Shullazit, Vladimir Meci lexoi për gati tre ore mbrojtjen e klientit të tij. Argumenti kryesor i mbrojtjes së Shullazit ishte se ky proces është i paracaktuar, i montuar keq dhe i sajuar si me episode që janë paraqitur ashtu edhe me dëshmitarët e prokurorisë.

Në konkluzionet e tij avokati i Shullazit është ndalur më së shumti në deklaratat e dëshmitarit të mbrojtur Ylvi Beqajt. Sipas mbrojtjes, Beqaj ka deklaruar të tjera gjëra në intervista në ndryshme dhe të tjera gjëra në sallën e gjyqit si dëshmitar i prokurorisë.

Avokati i Shullazit, deklaroi se Beqaj ka qenë nën presionin e prokurorisë, e cila ka përdorur një procedim kundër tij për ta detyruar të flasë kundër Shullazit. Marrëdhëniet e klientit tim dhe Ylvi Beqajn përsa i takon pronësisë të ish-hotelit Vollga në Durrës kanë qenë normale dhe të pasqyruara në akte noteriale me vullnet të lirë, është shprehur avokati i Shullazit.

Ndërsa, sa i takon akuzës së kanosjes së rekorit të universitetit Mynyr Koni, avokati i Shullazit është shprehur se ftesa për të pirë një kafe nuk mund të cilësohet si kanosje. Në përfundim të mbrojtjes voluminoze, avokati i Shullazit kërkoi deklarimin e pafajshëm të klientit të tij dhe lirimin e tij të menjëhershëm nga paraburgimi.

Ndërkohë, prokuroria ka këkruar shpalljen fajtor të Emiljano Shulazit dhe dënimin e tij me 17 vite burgim. Seanca e radhës së këtij procesi do të zhvillohet në datën 13 nëntor për ti dhënë mundësinë avokatëve  të të pandehurve të tjerë të paraqesin konkluzionet përfundimtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA