800 pacientë paraqiten çdo vit në repartin e neurologjisë së Spitalit Rajonal të Durrësit, me simptoma të aksidenteve vaskulare cerebrale, të njohura ndryshe si goditjet në tru, që janë shkaktari kryesor i vdekjeve dhe paaftësisë.

Ndaj, mjekët apelojnë për më shumë kujdes ndaj këtij rreziku dhe domosdoshmërisë për ta trajtuar sa më shpejt isheminë apo hemoragjinë cerebrale.

Për mjeken neurologe Eda Harizi, faktorët e riskut duhet të trajtohen sa më parë për të parandaluar goditjen në tru dhe pasojat e saj.

Më të rrezikuar nga goditjet janë personat që nuk mjekojnë tensionin arterial dhe sëmundjet e zemrës, veçanërisht ritmin e çrregullt të saj; ata që nuk mjekojnë diabetin dhe kolesterolin, si dhe personat që abuzojnë me alkolin dhe duhanin.

70% e rasteve që paraqiten me ishemi ose hemoragji cerebrale në Spitalin e Durrësit e kanë goditjen për herë të parë, ndërsa rastet e tjera janë të përsëritura. 30% e personave humbasin jetën, ndërsa 30% e atyre që e kalojnë këtë goditje mbeten invalidë në gjendje të rëndë.

Në kuadër të Ditës Botërore të Goditjes në Tru, bluzat e bardha ofruan për qytetarët durrsakë informacion dhe shërbime bazë për matjen e glicemisë në gjak dhe të tensionit arterial.

Në Europë, çdo 1 minutë një person rezulton se humbet jetën nga goditja në tru, ndërsa statistikat tregojnë rritje të goditjeve, 90% e të cilave mund të parandalohen falë aktivitetit fizik, dietës së shëndetshme, mbajtjes nën kontroll të tensionit arterial dhe kryerjes së “check-up”-it vjetor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA