Disfata e merituar në Serinë A kundër Interit e ka zhveshur nga alibitë trajnerin e Lacios, i cili vlerësoi kundërshtarin, por nuk u kursye në kritikat ndaj ekipit të tij.

Në veçanti, Simone Inzaghi pati në shënjestër portierin e kombëtares shqiptare të futbollit, Tomas Strakosha, edhe pse ky i fundit në 3 golat e pësuar pati pak ose thuajse aspak faj.

“Në këto ndeshje nuk mund t’i lejojmë vetes që të pësojmë gola si ai i pari që shënoi Interi. Nuk kujtoj dot asnjë pritje të Strakoshës në këtë ndeshje, por kujtoj shumë nga Handanovic. Interi gjithsesi e meritoi fitoren dhe nuk duhet të kërkojmë justifikime”, deklaroi Inzaghi.

Trajneri i Lacios ia faturoi lojën e dobët energjive të mëdha të shpenzuara në Europa League kundër Marseille. Ai tha gjithashtu se mesfushori i përfaqësueses së Kosovës, Valon Berisha, vazhdon të ketë probleme me dëmtimet dhe ndoshta nuk do të rekuperohet për ndeshjen e fundjavës.

Top Channel