Kërkesa për financim nga biznesi ka qenë në ulje në tremujorin e tretë të vitit, ndërkohë që nga ana tjetër, bankat e nivelit të dytë raportojnë se standardet e kreditimit të sektorit privat vazhdojnë të jenë të forta, madje për biznesin e vogël dhe të mesëm ato rezultuan të shtrënguara edhe më tej.

Sipas Bankës së Shqipërisë, faktorët që ndikuan në kahun shtrëngues të standardeve të kreditimit për bizneset në tremujorin e tretë ishin të lidhura me kostot dhe kufizimet nga bilanci, me aftësinë paguese të kredimarrësit, si edhe me situatën aktuale ekonomike dhe perspektivën e saj.

Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë mbi situatën e kreditimit thotë se për tremujorin e fundit bankat presin kërkesë të gjallëruar për kredi në të gjitha kategoritë e biznesit. Kërkesa më e lartë nga ana e sektorit privat pritet të shfaqet si për kredinë me qëllim investimi, ashtu edhe për atë me natyrë likuiditeti.

Bankat presin t’i mbajnë të pandryshuara standardet e kreditimit për bizneset, si përsa i përket madhësisë së tyre, ashtu edhe për qëllimin e përdorimit të huasë.

Nga ana tjetër, sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, standardet e kredisë për individët u lehtësuan në tremujorin e tretë të vitit 2018, si për kreditë konsumatore, ashtu edhe për ato me qëllim blerje banese. Ky lehtësim erdhi si pasojë e presionit nga konkurrenca mes bankave, ndërkohë që kanë aplikuar një kërkesë më të ulët për kolateral në raport me kredinë e marrë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA