As Fatmir Xhafaj dhe as Edi Rama nuk i kanë bërë publike arsyet e dorëheqjes së ministrit të Brendshëm, por analistët Afrim Krasniqi dhe Mentor Nazarko bashkohen në mendimin se pas këtij largimi fshihen presionet dhe lufta brenda llojit.

“Fakti që qeveria ishte e gatshme për ta dorëzuar mandatin e tij tregon që kemi kaluar në një fazë të dytë të mazhorancës, një luftë brenda llojit. Kemi humbje të busullës orientuese të qeverisë”, thotë Afrim Krasniqi.

“Dorëheqja e tij ishte rezultat i një presioni të madh, që duhet ta ketë patur origjinën nga jashtë partisë, por edhe brenda partisë. Lufta brenda llojit është shpesh më e fortë”, deklaron Mentor Nazarko.

Askush nuk vë në diskutim mbështetjen ndërkombëtare që gëzonte Fatmir Xhafaj, por Krasniqi dhe Nazarko e shikojnë dorëheqjen e ministrit si të lidhur me operacionin “Vol-vo 4”, që çoi në pranga dy ish-deputetë socialistë, ndërsa doli në përgjime edhe emri i kryebashkiakut socialist të Durrësit, Vangjush Dako.

“Në momentin që merresh me njerëzit e partisë tënde, duhet të kesh personalitet shumë të fuqishëm dhe përkrahje të fortë politike që ta ushtrosh profesionin. Përndryshe, do të dështosh. Dhe fakti që herën e parë që ministri i Brendshëm u ndesh me figura të PS-së, tregon që nuk është kapërcyer ky test”, shpjegon Krasniqi.

“Burimet thonë që kryeministri është munduar që ta bindë që të qëndrojë. Tërheqja pasi ka arritur sukses të madh, pas aksionit, tregon që ka dashur të largohet me një gjest të madh suksesi”, mendon Nazarko.

Po pse Edi Rama zgjodhi një njeri jopolitik si Sandër Lleshi për të zëvendësuar Xhafën?

Krasniqëi përgjigjet kështu: “Ai hyn në një kabinet ku fuqia e tij është minimale, ku do jetë një prej njerëzve që do të zbatojnë urdhrat. Do ta ketë shumë të vështirë për të përballuar presionin që i vjen nga grupe të caktuara të inkriminuara që kanë lidhje të forta me politikën”.

“Është një njeri që i ka mbijetuar ndërrimeve të vazhdueshme të stafit të Ramës në dy mandate. Është luajal dhe në këtë kuptim aksi kryeministër-Ministri e Brendshme është më i fortë. Është edhe njeri me formim perëndimor”, thekson Nazarko.

Top Channel